Hoti: Barazia gjinore dhe fuqizimi ekonomik i grave janë thelbësore për një shoqëri të qëndrueshme
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka vlerësuar rëndësinë e konferencës ndërkombëtare “Puna e kujdesit, barazia gjinore dhe qëndrueshmëria shoqërore”, e cila u organizua për të tretin vit me radhë nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës.
Përmes një postimi, Hoti ka theksuar se konferenca krijon hapësirë për diskutime shkencore mbi sfidat dhe mundësitë për avancimin ekonomik e shoqëror të grave, si dhe për rolin e tyre në zhvillimin e një shoqërie më të barabartë dhe të qëndrueshme.
Në këtë konferencë, studiues të spikatur ndërkombëtarë prezantuan hulumtime mbi ekonominë e kujdesit, barazinë gjinore, përfshirjen financiare të grave dhe forcimin e pozitës së tyre ekonomike.
Hoti ka përgëzuar profesoreshën Ardiana Gashi për angazhimin në organizimin e kësaj ngjarjeje akademike, duke vënë në pah rëndësinë e trajtimit të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave përmes studimeve shkencore dhe diskutimeve profesionale.
Postimi i plotë i tij:
Për të tretin vit me radhë, Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës organizoi konferencën ndërkombëtare “Puna e kujdesit, barazia gjinore dhe qëndrueshmëria shoqërore”. Kjo konferencë tanimë është bërë ngjarje ndërkombëtare, ku diskutohen në mënyrë profesionale dhe shkencore politikat e avancimit ekonomik dhe shoqëror të grave dhe roli i tyre në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme.
Ishim të nderuar me pjesëmarrjen e studiuesve të spikatur ndërkombëtarë, të cilët prezantuan studimet e tyre mbi evoluimin e punës së kujdesit, ndikimin e normave shoqërore në barazinë gjinore, transformimin organizativ, financimin e ekonomisë së kujdesit, përfshirjen financiare të grave dhe forcimin e qëndrueshmërisë së tyre ekonomike.
E përgëzoj Prof. Ardiana Gashi për gjithë angazhimin në organizimin e kësaj konference, e cila barazinë gjinore dhe avancimin e gruas në ekonomi dhe shoqëri e ka bërë kauzë të angazhimit të saj akademik.



