Grupi Punues për të blerë kohë!

15 tetor 2026 | 14:42

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Mashtrimi i radhës: Protestat që e imponuan votimin e Ligjit kundër Gjykatës Raciste Speciale në Hagë që dënoi me dënime drakonike Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin, Salih Mustafën, Pjetër Shalën, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin përfunduan pa pasoja të mëdha. Në emër të një “përgjegjësie individuale”, GJRS – bashkë me shtetin e Serbisë dhe përkrahjen bujare të një segmenti të institucioneve kosovare kontribuuan që të kriminalizohet lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sikur edhe vet shtetndërtimi, deri te shpallja e pavarësisë përmes një arkitekture të sajuar si “ndërmarrja e përbashkët kriminale”. Protestat ishin të jashtëzakonshme dhe të paimagjinueshme për faktin se regjimi i Kurthit ka instaluar një diktaturë të mbështetur në përndjekje të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, mediave, shoqërisë civile, ish të burgosurve politikë,  veteranëve të luftës, përkrahësve të filozofisë njerëzore, kombëtare dhe politike të Bacë Adem Demaçit, patriotëve të dëshmuar etj.

Protesta e ruajti paanësinë ndonëse ishte në një mënyrë për ata që e përkrahnin UÇK-në, në njërën anë dhe ata që ishin dhe janë kundër UÇK-së, në anën tjetër. Rryma kombëtare kundër rrymës antikombëtare – jugosllave.

Për mua votimi i Ligjit nuk është e arritura kryesore por ringritja e UÇK-së dhe përkrahja e parezervë ndaj pengjeve të luftës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës. Numri i protestuesve ishte jashtëzakonisht i madh, në dy protesta të mëdha kanë marrë pjesë afërsisht 200.000 pjesëmarrës ndërsa në 21 protesta në mbrëmje kanë qenë 350.000  deri më 380.000 pjesëmarrës. Protestuesit nuk provokuan policinë dhe intervenimi i Policisë ishte i panevojshëm. Një grupacion i Policisë së Kosovës që është shndërruar në grusht për të goditur kundërshtarët politikë e që po manipulohen nga mashtruesi Kurthi dhe dhunuesi i dëshmuar i Policisë, Xhelal Sfeqla, një orë para intervenimit i kanë hequr shenjat identifikuese sikur që kanë intervenuar pa asnjë paralajmërim. Në të gjitha vendet normale policia e cakton një afat kohor 15 minuta apo 30 minuta për shpërndarje të protestuesve para se të intervenojë. Këtu intervenimi u bë për të testuar durimin dhe reagimin e protestuesve. Po të kishin reaguar protestuesit me të njëjtën masë, do të kishte pasoja të mëdha.

U gabua që u luajt vetëm në një kartë – tutti per tutti – të gjitha për Ligjin për GJSR. Albin Kurthi e votoi Ligjin edhe nga frika, nga grykësia për pushtet edhe për ta ruajtur piramidën e krimit dhe pandëshkueshmërinë. PDK-ja ia mundësoi këtë. PDK-ja është dashur vetëm të kërkoi votimin e ligjit dhe asgjë më tepër. Madje të mos insistojë fare. Votimin për president nuk është dashur fare ta kushtëzojnë me votimin e ligjit. Thjesht, lufta do të zhvillohej midis protestuesve që kërkonin që të votohej ligji dhe atyre që do ta votonin apo nuk do ta votonin. PDK-ja e kishte të panevojshëm kushtëzimin, u bë aleat i Kurthit duke ia shpëtuar lëkurën politike. Bedri Hamza, në vend se t’i thyejë këmbët pas Kurthit është dashur ta shkarkojë menjëherë çimkën e Kurthit – Rrustem Mustafën, si dëshmi se ka lidership. Po, jam i sigurt se protestat do të vazhdojnë se prej këtij nuk do të dalë asgjë e hajrit. Prandaj Kurthi po formon Grup Punues, me e trashë asgjënë e ligjit. PDK-ja është dashur të kërkojë vetëm dy gjëra:

  1. Mjete të mjaftueshme dhe të pakushtëzuara për mbrojtje në Apel sikur edhe
  2. Lobim të fuqishëm ndërkombëtar.

Grupi punues është vetëm përpjekje për blerje kohe dhe faturë arsyetimi. Është grup politik që nuk merr gjë vesh për këto punë. Dhe nuk ka interesim të ndihmojë. Albin Kurthi, Glauku, Sfeqla, Albulena, Shvarc Donika, Teneqe Murati, Dimal Arsovska kanë qenë më denoncues ndaj Thaçit dhe Veselit se Dik Marti, Jack Smith dhe Charles Smith III së bashku duke i sulmuar në Kuvend e jashtë Kuvendi 24 orë.

E tash këta antikombëtarë duhet të bëhen pjesë e Grupit Punues, për çka? Këta, nëse bashkohen me rrona, shkelzena, vuda, arkana e vetona, më shumë janë të interesuar të shkojnë te prokurorja Kim West dhe t’i bëhen krah i djathtë.

Po ta kishin përnjëmend do ta emëronim Enver Hasanin në krye të Ekipit për Lobim si njëri ndër njohësit më të mirë të së Drejtës Ndërkombëtare i cili pastaj do ta bënte ekipin nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë.

Në krye të Ekipit mbrojtës nga Kosova do të ishte Artan Qerkini që i ka fituar të gjitha rastet në GJSR në Hagë si dhe një rast në të ashtuquajturën Gjykatë Kushtetuese të Gjykatës Speciale Raciste.

Grupi Punues duhet të përbëhet nga ekspertët e jo nga politikanët . Kështu nuk do të mund të akuzohemi se me Grup Punues (nga politika dhe partitë politike) po bëjmë presion dhe ndikim te Gjykata e Apelit e GJRS në Hagë. Politikanët flasin me gjuhë dhe argumente politike e që nuk janë as fakte e as argumente në një proces gjyqësor kurse ekspertët nuk përdorin gjuhë politike por fakte. Politika duhet t’i mbështesë pa asnjë hezitim ekspertët dhe këtu merr fund angazhimi i tyre. Në një vend normal. Pa asnjë dyshim gjërat nuk do të zhvillohen sipas pritjeve tona prandaj do të ketë protesta të fuqishme ku këto që përfunduan do të harrohen. Nuk pret koha për sjellje dhe veprime burokratike, shumë fjalë dhe mbledhje, asgjë konkrete. Nëse koha për ne është ndalur, afati për ata që janë në Hagë po rrjedhë që nga 16 shtatori, pa asnjë ndërprerje dhe pushim. Kurthi po blenë kohë, ky është qëllimi i tij. Mos i besoni. E ka bërë Kosovën vend të pajetueshëm.

Blerimi, Përparimi dhe Çlirimi: Sot personat më të sulmuar në Kosovë janë Blerim Isufaj ish kryeprokuror i Prokurorisë Speciale që në mënyrë mafioze dhe staliniste u ekzekutua nga K (rye) M ( mafiozi ) i Kosovës, Albin Kurthi shkaku se ishte pengesë e madhe për kapje të Prokurorisë Speciale.

Përparim Rama shkaku se është i vetmi sot në Kosovë që mund ta mund Kurthin me vota për KM sikur që e mundi dy herë në Prishtinë. Edhe për këtë po bëhet gati ta ekzekutojë politikisht, si rival apo armik politik. Nëse është në dorën e Kurthit që të dy do t’i burgoste në mënyrë që vet të shpëtojë nga burgu – Dubrava 12 katë.

Çlirim Haziri sepse gjatë protestave të fundit u shndërrua në kryepersonazh që për ta dërguar Kurthin në shtëpi nuk ka nevojë të presë 4 vite deri në zgjedhje të radhës por me një procedurë të përshpejtuar ( protesta ) do ta shkërmoq deri në fund. Si do të zhvillohen gjërat, nevoja për protesta do të jetë e domosdoshme dhe e pashmangshme. Albin Kurthi i blenë votat prandaj i fiton zgjedhjet por nuk e blenë dot SHESHIN. Aty është Çlirim Haziri, i pakorruptuar, trim, i vendosur për sakrificë si trashëgimi gjenetike, kombëtare dhe politike e Xhavit Hazirit, mendjes dhe shpirtit të UÇK-së.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) ka njoftuar…