Haxhiu: Forcimi i sundimit të ligjit dhe institucioneve të pavarura mbetet angazhim i Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se forcimi i sundimit të ligjit dhe funksionimi i institucioneve të pavarura mbeten ndër angazhimet kryesore të Kuvendit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haxhiu ka bërë të ditur se në seancën e sotme plenare janë miratuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Sipas saj, këto ndryshime synojnë forcimin e mekanizmave për parandalimin e aktiviteteve financiare të paligjshme dhe mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar.
Gjithashtu, Haxhiu ka njoftuar se Kuvendi ka përzgjedhur dy anëtarë joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
Ajo ka theksuar se Kuvendi ka përgjegjësinë të miratojë ligje të qarta dhe të sigurojë funksionimin e institucioneve të pavarura dhe të përgjegjshme.
“Kuvendi vazhdon angazhimin për forcimin e sundimit të ligjit, funksionimin e institucioneve të pavarura dhe ushtrimin e përgjegjësive në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.



