UÇK, USHTRI ÇLIRIMTARE, JO ORGANIZATË KRIMINALE!

15 tetor 2026 | 12:20

Shkruan: Hisen Berisha, gjeneral 

Ajo që po ndodh në Shqipëri, ku turma të të rinjve dhe studentëve, duke mbajtur flamurin e UÇK-së në duar dhe duke brohoritur emrin e saj, djegin objekte të ndryshme, shkatërrojnë pronë dhe përplasen dhunshëm me policinë e shtetit, është një zhvillim që ngre shqetësime serioze për keqpërdorimin e simbolit të luftës sonë çlirimtare.
Vlerësimi im është se, përmes qarqeve të dyshimta, personave të maskuar, me prapavijë dhe identitet të paqartë, mund të synohet profilizimi i UÇK-së si organizatë kriminale.
Kjo është arsyeja pse përdorimi i flamurit dhe i emrit të saj në skena dhune, shkatërrimi e përplasjeje me policinë e shtetit shqiptarë, duhet parë përtej pamjes së jashtme.
Ajo që sot paraqitet si brohoritje në emër të UÇK-së, nesër mund të përdoret për ta njollosur historinë dhe për ta përdhosur lavdinë e saj.
UÇK-ja ishte ushtri e lavdishme, me mision të shenjtë që të luftoj për lirinë e popullit shqiptar nga regjimi shtypës, vrastar serb dhe sistemi komunist jugosllav.
Pra, UÇK luftoi për liri, dinjitet dhe të drejtën e popullit tonë për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Ky ishte misioni i saj historik, të cilin nuk mund ta tjetërsojë askush.
Misioni i UÇK-së në Kosovë përfundoi me çlirimin e vendit, ndërsa demobilizimi i saj u realizua më 19 shtator 1999. UÇK-ja nuk u krijua për t’u bërë instrument i zhvillimeve dhe përplasjeve të politikës së brendshme, as në Shqipëri dhe as në Kosovë.
Ashtu siç UÇPMB-ja zhvilloi luftën e saj në Kosovën Lindore dhe shqiptarët në Maqedoni patën rrugën e tyre të organizimit e të rezistencës, nga Ushtria Çlirimtar Kombëtare. Edhe çështja e Çamërisë – e çamëve dhe arvanitasve mbetet pjesë e çështjes kombëtare dhe Ushtris Çlirimtare të Çamërisë, përballë diskriminimit dhe sfidave me të cilat përballen shqiptarët në trevat e veta autoktone në Greqi.
Secila prej këtyre çështjeve ka rrethanat dhe rrugën e vet historike.
Por një gjë duhet të jetë e qartë se, simboli i tri shkronjave të shenjta, UÇK, nuk duhet të involvohet në zhvillimet politike të brendshme të shtetit shqiptar apo të Republikës së Kosovës.
Ai nuk është pronë e ndonjë partie, grupi apo turme.
Është simbol i luftës dhe i sakrificës së një populli për liri.
Prandaj, atë që po shohim e vlerësoj si një zhvillim që ngre dyshime serioze për një luftë speciale armiqësore, e cila mund të synojë përdhosjen e lavdisë së UÇK-së dhe krijimin e një lidhjeje të rreme ndërmjet simbolit të saj dhe dhunës, shkatërrimit e kriminalitetit.
Këto dyshime kërkojnë zbardhje dhe verifikim, sepse pasojat e një keqpërdorimi të tillë mund të jenë të rënda për kujtesën tonë kombëtare.
UÇK-ja nuk luftoi për të djegur, shkatërruar e përplasur shqiptarët me njëri-tjetrin.
Ajo luftoi për t’i liruar ata.
Lavdia e UÇK-së nuk mund të përdoret si mburojë për dhunën dhe as të shndërrohet në instrument të betejave politike. Tri shkronjat e saj janë të shenjta për historinë tonë kombëtare dhe duhet të mbeten të lidhura me misionin për të cilin u krijua: LIRINË E POPULLIT SHQIPTAR!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Qeset e mbeturinave që qëndrojnë me ditë të tëra nëpër…