KOSOVA ECËN PËRPARA PËRBALLË NOSTALGJISË PËR TË KALUARËN

15 korrik 2026 | 12:16

Prof.dr. Sabile Keçmezi – Basha

Zhvillimet politike në Serbi vazhdojnë herë pas here të prodhojnë deklarata dhe qëndrime që rikujtojnë retorikën e periudhës më të errët të historisë së saj moderne. Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve për të ringjallur diskurse të së kaluarës, mbetet një realitet i pakthyeshëm se epoka e represionit sistematik ndaj Kosovës dhe shqiptarëve ka marrë fund. Ajo periudhë, e karakterizuar nga dhuna shtetërore, diskriminimi institucional dhe politika që kulmoi me spastrimin etnik dhe krimet e luftës, i përket historisë dhe nuk mund të rikthehet më, pavarësisht nostalgjisë së disa qarqeve politike në Serbi.
Pikërisht në këtë kontekst duhet parë edhe retorika e disa figurave politike, si Snežana Paunović, deklaratat e së cilës kanë zgjuar reagime të forta për shkak të glorifikimit të politikave të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Një qasje e tillë nuk përfaqëson vetëm një keqkuptim të thellë të realitetit politik të sotëm, por edhe një mosdistancim nga politikat që u dënuan nga bashkësia ndërkombëtare dhe që lanë pas mijëra viktima, dëbime masive dhe shkatërrime të mëdha. Çdo shprehje nostalgjie ndaj një regjimi që u identifikua me krime kundër njerëzimit dhe spastrim etnik është në kundërshtim me vlerat demokratike dhe me përpjekjet për pajtim në rajon.
Prandaj, çdo zyrtar publik duhet ta kuptojë se koha kur politika shtetërore serbe mund të mbështetej në dhunë, represion dhe projekte të spastrimit etnik ka përfunduar përgjithmonë. Deklaratat që lënë të kuptohet se, po të ishin në pozitën e Slobodan Millosheviqit, do të kishin ndjekur të njëjtën rrugë ndaj shqiptarëve të Kosovës, nuk janë vetëm moralisht të papranueshme, por përbëjnë edhe një kujtesë të rrezikshme të ideologjive që sollën luftë, vuajtje dhe tragjedi në Ballkan. E ardhmja e rajonit nuk mund të ndërtohet mbi glorifikimin e së kaluarës represive, por mbi pranimin e së vërtetës historike, përgjegjësinë politike dhe respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të të gjithë popujve.

Patriotizmi i vonuar nuk e ndryshon historinë

Po, Snežana Paunoviq, me deklaratën tënde se “po të kishe qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishe spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, nuk ke bërë thjesht një deklaratë politike. Ke rikthyer në kujtesën e opinionit publik një nga periudhat më të errëta të historisë së Ballkanit, një kohë kur politika e urrejtjes, e dhunës dhe e spastrimit etnik prodhoi mijëra viktima, qindra mijëra të dëbuar dhe plagë që vazhdojnë të jenë të hapura edhe sot.
Është e mundur që me një retorikë të tillë të përpiqesh të fitosh simpati në një pjesë të opinionit publik, duke u paraqitur si një mbrojtëse e një nacionalizmi të vonuar, sikur koha të kishte ndalur dhe sikur historia të mund të rishkruhej sipas nevojave të politikës së ditës. Por historia nuk funksionon mbi dëshira individuale dhe as mbi nostalgjinë për politika që kanë marrë dënimin e saj moral, historik dhe juridik. Ajo nuk mund të zhbëhet me deklarata dhe as të deformohet për t’iu përshtatur interesave të momentit.
Bota e sotme nuk është ajo e fundviteve nëntëdhjetë. Rajoni ka kaluar transformime të mëdha politike, ndërsa Kosova është një shtet i lirë, sovran dhe demokratik, i njohur nga shumica e demokracive më të zhvilluara të botës. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë ndërtuar mbi parime të tjera, ndërsa e drejta ndërkombëtare dhe respektimi i të drejtave të njeriut përbëjnë themelet e rendit demokratik bashkëkohor. Pikërisht për këtë arsye, deklarata që shprehin nostalgji për politikat e spastrimit etnik nuk përfaqësojnë forcë politike, por një refuzim për t’u shkëputur nga mendësitë që historia i ka dënuar.
Megjithatë, askush nuk duhet të mendojë se kalimi i kohës e zbeh kujtesën historike. Populli i Kosovës nuk ka harruar çfarë ndodhi gjatë viteve të luftës. Nuk ka harruar mijëra civilët e vrarë, familjet e dëbuara me dhunë, qytetet e shkatërruara dhe përpjekjen sistematike për ta ndryshuar përbërjen etnike të Kosovës. Këto nuk janë rrëfime të largëta apo interpretime politike, ato janë fakte të dokumentuara nga gjykata ndërkombëtare, organizata për të drejtat e njeriut dhe vetë historia bashkëkohore.
Pikërisht për këtë arsye, çdo deklaratë që relativizon ose shpreh nostalgji për ato politika nuk mund të trajtohet si një opinion i zakonshëm politik. Ajo përbën një sfidë ndaj kujtesës historike, ndaj dinjitetit të viktimave dhe ndaj përpjekjeve për të ndërtuar një Ballkan të bazuar në paqe, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë. Demokracia nuk matet me aftësinë për të përsëritur retorikën e së kaluarës, por me guximin për t’u shkëputur prej saj dhe për të pranuar se krimet, spastrimi etnik dhe mohimi i të drejtave të një populli nuk mund të justifikohen kurrë.
Prandaj, deklarata të tilla nuk e ndryshojnë historinë. Ato vetëm rikujtojnë se edhe sot ekzistojnë individë që nuk kanë arritur të çlirohen nga mendësitë e një epoke të errët. Por, përballë tyre qëndron një realitet i pakthyeshëm: Kosova është e lirë, është shtet sovran dhe ecën përpara, ndërsa historia mbetet dëshmitarja më e fuqishme se projektet e ndërtuara mbi urrejtjen dhe dhunën janë të destinuara të dështojnë.
Nuk e di nëse nuk e kupton këtë realitet, apo thjesht nuk dëshiron ta pranosh. Historia e Ballkanit ka lënë plagë të thella, ndërsa populli i Kosovës e ka paguar me jetë, me dëbime, me burgje dhe me sakrifica të panumërta çmimin e lirisë së tij. Pikërisht për këtë arsye, çdo deklaratë që përpiqet të relativizojë të kaluarën apo të ringjallë frymën e politikave që prodhuan dhunë dhe spastrime etnike nuk mund të kalojnë pa u kundërshtuar.
Ka një të vërtetë që historia e ka dëshmuar vazhdimisht: shtetet mund të ndryshojnë udhëheqës, mund të ndërrojnë retorikën, mund të paraqiten me një fytyrë më të moderuar para opinionit ndërkombëtar, por kjo nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me një shkëputje të sinqertë nga ideologjitë që kanë prodhuar tragjedi. Populli shqiptar e ka mësuar nga përvoja se nuk duhet të gjykojë vetëm nga fjalët, por mbi të gjitha nga veprat.
Prandaj mbetet aktuale urtësia popullore se ujku mund ta ndërrojë qimen, por jo zakonin. Serbia mund të ndryshojë diskursin politik sa herë t’ia diktojnë rrethanat ndërkombëtare, mund të ndërrojë “gëzofin” sipas interesave të saj, por derisa të përballet ndershmërisht me të kaluarën dhe të heqë dorë përfundimisht nga mendësitë hegjemoniste, do të ekzistojë gjithmonë arsyeja për vigjilencë. Kujtesa historike nuk është hakmarrje, ajo është garancia që gabimet dhe krimet e së kaluarës të mos përsëriten më.

Nën petkun e demokracisë nuk zhduken mendësitë e së kaluarës

Me bindje të plotë mund të thuhet se deklaratat e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunoviq, nuk janë një devijim individual apo një qëndrim i izoluar. Ato përfaqësojnë një mënyrë të të menduarit që vazhdon të mbijetojë në segmente të caktuara të elitës politike dhe shoqërore serbe, pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur Serbinë si një shtet plotësisht të demokratizuar dhe të shkëputur nga trashëgimia e nacionalizmit të viteve nëntëdhjetë.
Demokracia nuk matet me deklarata formale, as me institucione të ngritura mbi letër. Ajo dëshmohet përmes kulturës politike, pranimit të përgjegjësisë historike dhe respektimit të së vërtetës. Përderisa në diskursin publik vazhdojnë të shfaqen zëra që relativizojnë krimet, shprehin nostalgji për politikat e dhunshme ose glorifikojnë mendësitë që prodhuan tragjedi në Ballkan, mbetet e vështirë të besohet se është bërë një shkëputje e vërtetë nga e kaluara.
Pikërisht për këtë arsye, deklarata të tilla nuk duhen parë si incidente të izoluara. Ato janë simptoma të një mendësie që ende nuk është çrrënjosur plotësisht. Në një shoqëri ku ende ekzistojnë individë që nuk distancohen qartë nga projektet politike që sollën luftëra, dëbime dhe vuajtje të mëdha njerëzore, retorika demokratike rrezikon të mbetet vetëm një fasadë.
Në këtë kuptim, metafora e ujkut të mbështjellë me lëkurën e qengjit mbetet domethënëse. Një shtet mund të ndryshojë gjuhën diplomatike, të adoptojë një diskurs më të pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare dhe të paraqitet me një imazh më të butë, por kjo nuk ka vlerë nëse, nën atë petk, vazhdojnë të mbijetojnë të njëjtat mendësi që dikur ushqyen konfliktin dhe mohimin e të drejtave të popujve të tjerë. Prandaj, vigjilenca dhe kujtesa historike mbeten të domosdoshme, jo për të ushqyer armiqësi, por për të mbrojtur të vërtetën dhe për të siguruar që e kaluara të mos përsëritet.

Rreziku nuk qëndron vetëm te retorika, por te politikat që fshihen pas saj

Ministrja e shprehu publikisht qëndrimin e saj, pa lënë vend për interpretime apo dilema. Deklarata e saj u përball me reagime të menjëhershme dhe u dënua si nga institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, i cili e konsideroi një retorikë të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, pajtimit dhe vlerave demokratike që synohen në rajon. Ky reagim ishte i domosdoshëm, sepse gjuha që nxit urrejtje, mohon vuajtjet e të tjerëve ose rikthen fantazmat e së kaluarës nuk mund të ketë vend në Evropën e shekullit XXI.
Megjithatë, historia na mëson se rreziku më i madh nuk buron domosdoshmërisht nga ata që i shpallin hapur synimet e tyre. Deklaratat publike, sado të rënda të jenë, kanë edhe një anë tjetër: ato ekspozojnë mendësinë e autorëve të tyre dhe u japin mundësi institucioneve demokratike dhe opinionit publik t’u përgjigjen me vendosmëri. Më i rrezikshëm është veprimi që maskohet me gjuhë të moderuar, me retorikë diplomatike dhe me premtime për bashkëpunim, ndërsa në prapaskenë ndërtohen strategji që cenojnë sovranitetin, subjektivitetin ndërkombëtar dhe stabilitetin e Kosovës.
Politika moderne nuk zhvillohet vetëm përmes deklaratave bombastike. Shpesh ajo ndërtohet përmes proceseve të ngadalta, ndikimit diplomatik, presioneve ekonomike, fushatave të dezinformimit dhe përpjekjeve për të dobësuar pozitën e një shteti në arenën ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, vigjilenca nuk duhet të kufizohet vetëm ndaj fjalëve të ashpra, por edhe ndaj veprimeve që paraqiten si konstruktive, ndërkohë që synojnë të minojnë në heshtje interesat strategjike të Kosovës.
Paqja e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk ndërtohen mbi deklarata të dyfishta apo mbi politika që fshehin objektiva të tjera. Ato kërkojnë sinqeritet, respekt të ndërsjellë dhe njohje të realitetit politik të krijuar pas sakrificave të mëdha të popullit të Kosovës. Prandaj, sfida nuk është vetëm të kundërshtohen deklaratat që dalin hapur kundër Kosovës, por edhe të identifikohen e të demaskohen qasjet që, nën petkun e demokracisë dhe dialogut, përpiqen të cenojnë shtetësinë, integritetin territorial dhe të ardhmen e saj evropiane.

Kujtesa historike si mburojë ndaj sfidave të së tashmes

Ne jemi këtu, të vetëdijshëm për historinë që kemi përjetuar dhe për mësimet që ajo na ka lënë. Nuk jemi një shoqëri që gjykon vetëm nga deklaratat publike, por edhe nga ajo që është vepruar në heshtje përgjatë dekadave. Përvoja historike na ka mësuar se shpesh synimet më të rrezikshme nuk janë shpallur me zë të lartë, por janë ndërtuar larg syrit të publikut, përmes planeve, strategjive dhe politikave që kanë synuar dobësimin e pozitës së Kosovës dhe të popullit shqiptar.
Ne nuk kemi harruar dhe nuk guxojmë të harrojmë as retorikën e hapur, e cila në periudha të caktuara ka nxitur urrejtje, diskriminim dhe dhunë, por as veprimet e fshehta që kanë paraprirë zhvillime tragjike. Pikërisht kjo përvojë historike na ka bërë më të kujdesshëm dhe më të vetëdijshëm se paqja, liria dhe shtetësia nuk ruhen vetëm me deklarata optimiste, por edhe me vigjilencë, unitet dhe një kujtesë kolektive që nuk lejon përsëritjen e gabimeve të së kaluarës.
Prandaj, ne i dëgjojmë me vëmendje si fjalët që thuhen hapur, ashtu edhe sinjalet që fshihen pas gjuhës diplomatike. Historia na ka mësuar se jo gjithmonë ekziston përputhje midis retorikës dhe veprimit. Për këtë arsye, ndërgjegjja jonë politike është ndërtuar mbi përvojën, mbi faktet dhe mbi kujtesën historike, jo mbi iluzione apo premtime të përkohshme.
Kjo nuk nënkupton mosbesim të verbër ndaj së ardhmes, por përgjegjësi për ta mbrojtur atë. Një popull që njeh historinë e vet nuk bie lehtë pre e manipulimeve, sepse di të dallojë ndryshimin e vërtetë nga fasada politike. Pikërisht kjo vetëdije është garancia më e mirë që liria, shtetësia dhe dinjiteti i Kosovës do të mbrohen jo vetëm nga kërcënimet e dukshme, por edhe nga ato që përpiqen të veprojnë në heshtje.

Liria e Kosovës është fitore e sakrificës dhe përgjegjësi për të ardhmen

Kosova sot është një shtet i lirë, sovran dhe demokratik, i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe mbi sakrificat e panumërta të brezave që luftuan për të drejtën themelore të jetës në liri. Pavarësia e saj nuk është rezultat i rastësisë apo i rrethanave të përkohshme politike, por fryt i një rruge të gjatë rezistence, përkushtimi dhe flijimi, të cilën populli i Kosovës e përshkoi me dinjitet dhe vendosmëri.
Qytetarët e Kosovës e dinë më mirë se kushdo se sa e lartë ka qenë kostoja e lirisë. Ata janë të vetëdijshëm se çdo etapë e rrugëtimit drejt shtetësisë është paguar me sakrifica njerëzore, me vuajtje dhe me një angazhim të pandërprerë për të mbrojtur identitetin, dinjitetin dhe të drejtën për vetëvendosje. Pikërisht kjo përvojë historike e ka bërë shoqërinë kosovare të kuptojë se liria nuk është një privilegj i dhënë përgjithmonë, por një vlerë që kërkon përgjegjësi, institucione të forta, unitet qytetar dhe përkushtim të vazhdueshëm për ta ruajtur e zhvilluar.
Në të njëjtën kohë, Kosova është pjesë e botës demokratike dhe ndan me të vlerat universale të lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Mbështetja që ka marrë nga partnerët ndërkombëtarë gjatë rrugës së saj shtetformuese nuk është thjesht një akt solidariteti, por edhe një dëshmi se kauza e saj ishte dhe mbetet e bazuar në të drejtën, në drejtësinë historike dhe në aspiratën legjitime të një populli për të jetuar i lirë.
Sot, detyra më e madhe nuk është vetëm ruajtja e pavarësisë, por edhe forcimi i saj përmes zhvillimit demokratik, ndërtimit të institucioneve funksionale, respektimit të rendit kushtetues dhe thellimit të partneritetit me komunitetin euroatlantik. Kjo është mënyra më e mirë për ta nderuar sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe për t’ua lënë brezave të ardhshëm një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të sigurt.
Liria dhe pavarësia nuk janë vetëm arritjet më të mëdha politike të Kosovës moderne, ato janë edhe themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e saj. Me vetëdije historike, me besim në vlerat demokratike dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, Kosova vazhdon ta konsolidojë pozitën e saj si një shtet i lirë, demokratik dhe i përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Retorika e së kaluarës nuk mund të diktojë të ardhmen

Duhet të jetë e qartë se deklarata të tilla, si ato të ministres Snezhana Paunoviqit, mund të krijojnë jehonë të përkohshme mediatike, por nuk kanë fuqinë të ndryshojnë realitetin politik të krijuar në Kosovë. Historia ka treguar se retorika e provokimit dhe e nostalgjisë për politikat e së kaluarës zbehet shpejt përballë fakteve, ndërsa ajo që mbetet është vullneti i qytetarëve për të jetuar në paqe, liri dhe demokraci.
Deklarata të këtij lloji shpesh prodhojnë më shumë zhurmë sesa ndikim real. Ato nuk ofrojnë zgjidhje për sfidat e rajonit, nuk ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe nuk kontribuojnë në pajtim. Përkundrazi, mbeten jehonë e një diskursi që i përket një epoke të tejkaluar, një epoke që Ballkani ka interes ta lërë pas.
Prandaj, është e arsyeshme të besohet se kjo lloj retorike do të humbasë peshën e saj politike, ashtu si kanë humbur rëndësinë shumë narrativa të ngjashme që nuk i kanë rezistuar kohës. E ardhmja nuk ndërtohet mbi gjuhën e përçarjes, por mbi respektin reciprok, përgjegjësinë politike dhe pranimin e realiteteve të reja.
Nuk përjashtohet mundësia që deklarata të tilla të jenë edhe përpjekje për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik ose për të mobilizuar një elektorat të caktuar përmes retorikës nacionaliste. Megjithatë, historia ka dëshmuar se protagonizmi i fituar përmes provokimeve është i përkohshëm. Ajo që mbetet në fund janë veprat, përgjegjësia politike dhe aftësia për të kontribuar në stabilitetin dhe paqen e rajonit, jo deklaratat që ushqejnë polemika pa ofruar vizion për të ardhmen.

Kosova – vija e kuqe e ndërgjegjes sonë kombëtare

Kosova nuk është thjesht një shtet i ndërtuar mbi hartën politike të Evropës. Ajo është gjaku, kujtesa, sakrifica dhe dinjiteti i një populli që për dekada të tëra mbijetoi mes shtypjes, mohimit dhe përpjekjeve për ta zhdukur identitetin e tij. Prandaj, për ne, Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë objekt pazari politik, as çështje që mund të vihet në diskutim sipas interesave të ditës.
Çdo pëllëmbë e kësaj toke mban në vete historinë e brezave që sakrifikuan gjithçka për lirinë. Ajo është amaneti i dëshmorëve, vuajtja e të burgosurve politikë, dhimbja e familjeve të përndjekura dhe krenaria e atyre që nuk u përkulën as në momentet më të vështira. Pikërisht për këtë arsye, Kosova për ne nuk është vetëm atdheu ynë, ajo është pjesë e qenies sonë kombëtare, një vlerë e shenjtë që nuk tjetërsohet, nuk dhurohet dhe nuk falet.
Historia ka dëshmuar se populli shqiptar ka ditur të paguajë çmimin më të lartë për lirinë, por kurrë nuk ka hequr dorë nga e drejta e tij për të jetuar i lirë në vendin e vet. Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për të cenuar sovranitetin, integritetin territorial apo subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës has në vendosmërinë e një populli që e njeh mirë vlerën e lirisë dhe çmimin me të cilin ajo është fituar.
Sot Kosova është realitet i pakthyeshëm politik, juridik dhe historik. Ajo ecën përpara si shtet demokratik, duke ndërtuar institucionet e saj dhe duke forcuar vendin e saj në familjen euroatlantike. Ky realitet nuk mund të zhbëhet nga retorika politike, nostalgjia për të kaluarën apo deklaratat provokuese të kujtdo qofshin ato. Historia ecën përpara dhe nuk kthehet pas.
Prandaj, kur themi se Kosova është gjaku ynë që nuk falet, nuk shprehim urrejtje ndaj askujt, por afirmojmë një të vërtetë historike dhe morale: se liria, dinjiteti dhe shtetësia e Kosovës janë të panegociueshme. Ato janë trashëgimia më e çmuar që kemi marrë nga brezat që sakrifikuan dhe përgjegjësia më e madhe që kemi ndaj brezave që do të vijnë. Pikërisht mbi këtë ndërgjegje ndërtohet besimi ynë se Kosova do të mbetet përjetësisht e lirë, sovrane dhe e mbrojtur nga vullneti i qytetarëve të saj.

Përgjegjësia politike ka pasoja

Prandaj, shpallja e saj persona non grata do të ishte ndër masat më të lehta dhe më simbolike që mund të ndërmerren ndaj një zyrtareje që, përmes deklaratave të saj, ka cenuar vlerat mbi të cilat ndërtohen demokracia, paqja dhe bashkëjetesa. Në një shoqëri demokratike, liria e shprehjes është një e drejtë themelore, por ajo nuk mund të përdoret për të legjitimuar retorikë që nxit përçarje, mohon vuajtjet e popujve apo ringjall ide që historia i ka dënuar.
Deklarata të tilla nuk meritojnë respekt në debatin publik, por kundërshtim të vendosur politik, institucional dhe moral. Ato nuk kontribuojnë në pajtim, nuk ndërtojnë besim mes popujve dhe nuk i shërbejnë stabilitetit të rajonit. Përkundrazi, bien ndesh me parimet mbi të cilat është ndërtuar Evropa moderne: respektin për dinjitetin njerëzor, barazinë, të drejtat e njeriut dhe refuzimin e çdo forme të urrejtjes dhe shovinizmit.
Çdo individ që beson në lirinë, barazinë dhe dinjitetin e njeriut ka arsye ta refuzojë një retorikë të tillë dhe ta dënojë atë pa asnjë dilemë. Jo sepse mendimet ndryshe duhen heshtur, por sepse demokracia nuk mund të ndërtohet mbi glorifikimin e ideve që kanë prodhuar dhunë, diskriminim dhe tragjedi. Prandaj, përgjigjja më e denjë ndaj deklaratave të tilla mbetet izolimi i tyre politik dhe refuzimi i tyre nga të gjitha ata që besojnë në një Evropë të lirë, demokratike dhe të bazuar në respektin reciprok.

Robëria më e rrezikshme është ajo e mendjes

Mjerisht, edhe sot, në zemër të Evropës së shekullit XXI, vazhdojnë të ekzistojnë individë, qarqe politike e madje edhe institucione që nuk kanë arritur të çlirohen nga mendësitë e së kaluarës. Ata jetojnë në një realitet të ri, por mendojnë me logjikën e një epoke që historia e ka dënuar. Kanë përqafuar gjuhën e demokracisë, por jo frymën e saj, flasin për paqe, ndërsa nuk janë shkëputur nga botëkuptimet që dikur prodhuan konflikte, shtypje dhe mohimin e të drejtave të popujve të tjerë.
Kjo është dëshmia se robëria nuk është gjithmonë fizike. Më e rëndë dhe më e rrezikshme është robëria e mendjes. Një njeri mund të jetojë në një shtet demokratik, të ushtrojë funksione publike dhe të flasë në emër të institucioneve, por nëse vazhdon të mbajë peng vetëdijen e tij nga ideologjitë e dominimit, urrejtjes dhe mohimit të lirisë së tjetrit, ai mbetet rob i së kaluarës.
Shoqëritë që nuk arrijnë të çlirohen nga këto mendësi e kanë të vështirë të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme. Ato vazhdojnë të kërkojnë armiq aty ku duhet të ndërtojnë partneritete, vazhdojnë të ushqejnë mite në vend që të përballen me të vërtetën dhe vazhdojnë të idealizojnë politika që sollën vetëm vuajtje, izolim dhe tragjedi.
Ndërkohë, popujt që kanë fituar lirinë dhe e kanë ndërtuar shtetin e tyre mbi vlerat demokratike nuk mund ta pranojnë më këtë logjikë. Ata e dinë se paqja nuk ndërtohet mbi mohimin e historisë, por mbi pranimin e saj, nuk ndërtohet mbi kërcënime, por mbi respektin reciprok, nuk ndërtohet mbi ëndrrat e dominimit, por mbi barazinë ndërmjet kombeve.
Prandaj, sfida më e madhe për rajonin tonë nuk është vetëm zhvillimi ekonomik apo integrimi evropian. Sfida më e madhe mbetet çlirimi nga robëria e mendësisë – nga nostalgjia për politikat hegjemoniste, nga gjuha e urrejtjes dhe nga iluzioni se e kaluara mund të rikthehet. Vetëm atëherë Ballkani do të mund të ndërtojë një të ardhme që nuk do të jetë peng i historisë, por fryt i demokracisë, lirisë dhe respektit të ndërsjellë.
Dhe, në fund, ministres Snezhana Paunoviqit do t’i kujtoja një të vërtetë që nuk ndryshon nga deklaratat politike dhe as nga nostalgjia për të kaluarën: Kosova ishte, është dhe do të mbetet një shtet i lirë, sovran dhe demokratik. Kjo nuk është më një aspirat, por një realitet historik, politik dhe juridik, i ndërtuar mbi sakrificat e një populli që nuk u përkul as në periudhat më të rënda të historisë së tij.
Populli i Kosovës ka dëshmuar ndër shekuj se liria nuk është një dhuratë, por një ideal për të cilin është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka. Ai i ka mbijetuar pushtimeve, përndjekjeve, burgosjeve, dëbimeve dhe luftërave, pa e humbur kurrë besimin se një ditë do të jetonte i lirë në vendin e vet. Pikërisht kjo qëndresë, ky karakter i pathyeshëm dhe ky besim i palëkundur në të drejtën për liri janë themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës.
Sot, Kosova nuk e ndërton identitetin e saj mbi urrejtjen ndaj askujt, por mbi vlerat e demokracisë, lirisë, barazisë dhe respektit për dinjitetin njerëzor. Forca e saj nuk qëndron te retorika e së kaluarës, por te besimi në të ardhmen, te institucionet demokratike dhe te qytetarët e saj, të cilët e dinë mirë çmimin e lirisë dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë.
Historia ka treguar se popujt që mbështeten te drejtësia dhe liria mund të përballen me sfida të mëdha, por nuk mposhten. Prandaj, çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje ekzistencën, sovranitetin apo dinjitetin e Kosovës është e destinuar të përballet me vendosmërinë e një populli që nuk është përkulur kurrë dhe që nuk do të përkulet as në të ardhmen.
Dhe pikërisht për këtë arsye, përtej çdo deklarate provokuese, mbetet një e vërtetë që koha vetëm sa e ka forcuar: Kosova ecën përpara, e lirë, sovrane dhe demokratike, e mbështetur mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe mbi sakrificën e brezave që e bënë të mundur këtë liri.
Rrofsh përjetë, Kosova ime e dashur! Qofsh gjithmonë e lirë, sovrane dhe krenare, ashtu siç të deshën dhe luftuan për ty breza të tërë shqiptarësh.

15 Korrik, 2026
Prishtinë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fakulteti i Shkencave Matematike - Natyrore i Universitetit të Prishtinës…