Departamenti i Gjeografisë i FShMN-së bëhet anëtar i AESOP-it
Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore i Universitetit të Prishtinës – Departamenti i Gjeografisë është bërë anëtar i asociuar i Shoqatës së Shkollave Evropiane të Planifikimit (AESOP), njërit nga rrjetet më të rëndësishme akademike të Evropës për planifikim hapësinor dhe urban.
Vendimi për pranimin e Departamentit të Gjeografisë është miratuar nga Këshilli i Përfaqësuesve të AESOP-it dhe është konfirmuar zyrtarisht nga Sekretariati i Përgjithshëm i kësaj organizate.
Në uebfaqen e organizatës së njohur u dëshirohet mirëseardhje në AESOP këtij departamenti dhe universiteteve e fakulteteve tjera nga Evropa të pranuara gjatë vitit 2026.
Duke u anëtarësuar në këtë rrjet, FShMN-së, UP-së dhe Departamentit të Gjeografisë u krijohen mundësi të reja për bashkëpunim akademik dhe shkencor me universitete dhe institucione partnere nga Evropa dhe më gjerë.
Personeli akademik, hulumtuesit dhe studentët e Departamentit të Gjeografisë do të kenë mundësi të marrin pjesë në konferenca, shkolla verore, grupe tematike, rrjete akademike dhe iniciativa të ndryshme të AESOP-it.
Gjithashtu, ky anëtarësim do të lehtësojë zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimin e përvojave, mobilitetin akademik dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare.
Procesin e anëtarësimit të Departamentit të Gjeografisë në AESOP e udhëhoqi prodekani për cilësi, shkencë dhe bashkëpunim ndërkombëtar në FShMN, prof. asoc. Ferim Gashi.
AESOP-i është organizata kryesore evropiane e universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi dhe zhvillojnë veprimtari kërkimore në fushën e planifikimit hapësinor, planifikimit urban dhe zhvillimit territorial.
Njëri ndër prioritetet kryesore të Universitetit të Prishtinës dhe njësive të tij akademike është ndërkombëtarizimi, rrjetëzimi dhe anëtarësimi në organizata të njohura evropiane e globale.



