Kusari: Ata që po e kërkojnë shkarkimin e Abdixhikut, po përpiqen ta pengojnë finalizimin e marrëveshjes LVV-LDK

15 korrik 2026 | 22:38

Ministrja në detyrë e Tregtisë, Mimoza Kusari, ka deklaruar se zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po e vështirësojnë procesin e diskutimeve për finalizimin e marrëveshjes për formimin e institucioneve të reja.

Kusari ka thënë se grupi i deputetëve dhe anëtarëve të LDK-së që po kërkon shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, sipas saj, po ndikon në procesin e arritjes së një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

“Duket se kjo e shtyn, e komplikon situatën në diskutim, sepse në shumicën e rasteve përfaqësues të LDK-së që kanë kërkuar dorëheqjen kanë qenë ata që kanë kundërshtuar bashkëpunimin me VV-në”, ka deklaruar Kusari për Koha.

Ajo ka thënë se, ndonëse nuk ka informacione konkrete për orientimin e grupit që kërkon tërheqjen e Abdixhikut, zhvillimet e fundit brenda LDK-së po shihen si të ndërlidhura me procesin e negociatave.

“Këto dyja po shihen si të ndërlidhura, përkundër që argumentimi është rezultati i zgjedhjeve. Shihet qartë se përpjekja është për të mos u lënë të arrihet një finalizim i një marrëveshjeje të përbashkët mes dy subjekteve”, ka thënë ajo.

Më herët gjatë ditës, KOHA raportoi se Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kishin arritur një marrëveshje në parim për bashkëqeverisje.

Pas publikimit të këtij raportimi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se do të ndërpresë angazhimet për diskutimet me LVV-në për formimin e institucioneve, pas dorëzimit të 148 nënshkrimeve të delegatëve për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është plagosur sonte në fshatin Miradi e Epërme…