Muhamet Selmani merr zyrtarisht mandatin e asamblistit në Kuvendin Komunal të Prishtinës
Muhamet Selmani nga PDK-ja ka njoftuar se ka pranuar zyrtarisht mandatin si anëtar i Asamblesë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, ai ka falënderuar qytetarët e Prishtinës, veçanërisht ata që e mbështetën me votë në zgjedhjet lokale të tetorit 2025, duke u shprehur mirënjohës për besimin e dhënë.
Selmani është zotuar se do të angazhohet për mbrojtjen dhe avancimin e çdo kërkese që është në interes të kryeqytetit.
“Dua t’ju siguroj se do të jem përherë aty për të ruajtur, avancuar dhe shtyrë përpara çdo kërkesë për të mirën e qytetit tonë”, ka shkruar ai.
Po ashtu, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i drejtohen për çdo kërkesë, projekt apo iniciativë që kontribuon në përmirësimin e lagjeve dhe vendbanimeve të tyre, duke theksuar se bashkëpunimi është rruga për ta bërë Prishtinën një vend më të mirë.



