OEK: Deficiti tregtar i Kosovës me SHBA-në u rrit për 21.9 për qind gjatë vitit 2025
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka bërë të ditur se tregtia e mallrave ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë vitit 2025 është karakterizuar nga rritja e deficitit tregtar me 21.9 për qind, krahasuar me vitin 2024.
Sipas të dhënave të publikuara, eksporti i Kosovës drejt SHBA-së gjatë vitit 2025 ka arritur në 24.4 milionë euro, ndërsa importi nga SHBA-ja ka qenë 106.3 milionë euro.
Si rezultat, deficiti tregtar ka arritur në 81.8 milionë euro, ndërsa mbulueshmëria e importit nga eksporti ka qenë 23.0 për qind.
OEK-u thekson se rënia e eksporteve dhe niveli i lartë i importeve tregojnë nevojën për politika që mbështesin rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore dhe zgjerimin e pranisë së tyre në tregun amerikan.
Të dhënat janë bazuar në statistikat zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).



