Artan Behrami në mbështetje të deklaratës së Nait Hasanit: Shumë qytetarë nuk do ta pranonin një verdikt dënues të Speciales
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Artan Behrami, ka dalë në mbështetje të deklaratës së deputetit Nait Hasani, duke reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.
Behrami ka shkruar se, pas deklaratës së Hasanit, “kanë filluar të lajmërohen një nga një mbështetësit e Gjykatës Speciale”, të cilët, sipas tij, mbështesin edhe “dënimin potencial të krerëve të UÇK-së”.
Ai më tej ka pretenduar se Hasani “përfaqëson 84 për qind të qytetarëve të Kosovës”, duke iu referuar anketave publike që, sipas tij, tregojnë se shumica e qytetarëve e konsiderojnë procesin në Gjykatën Speciale si të padrejtë.
“Padrejtësia është aq e thellë, sa shumë qytetarë të Kosovës nuk do ta pranonin kurrë një verdikt dënues të Gjykatës Speciale”, ka shkruar Behrami.
Në reagimin e tij, deputeti i PDK-së ka shtuar gjithashtu se nuk është çudi që, sipas tij, “ata që dikur ua kanë dëshiruar vdekjen njerëzve të UÇK-së, habiten nga reagimi i mundshëm i qytetarëve”.



