Pacientët nuk duhet të ndëshkohen për ankesat e tyre, kërkohet reformë me fokus te dëgjimi dhe transparenca
Vana Jerliu Ramadani
Jerliu-Ramadani: Pacientët nuk duhet të penalizohen apo stigmatizohen për faktin se shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj shërbimeve shëndetësore. Ky është mesazhi kryesor i terapistes klinike dhe punonjëses sociale të licencuar në SHBA, Vana Jerliu Ramadani, e cila kërkon një qasje të re në sistemin shëndetësor, të bazuar në dëgjim aktiv, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Sipas saj, shprehja e shqetësimeve nga pacientët është një e drejtë themelore dhe një mekanizëm i domosdoshëm për identifikimin e problemeve brenda sistemit shëndetësor. Ajo thekson se heshtja nuk sjell përmirësim, ndërsa institucionet duhet t’i trajtojnë ankesat me seriozitet, t’i dokumentojnë dhe t’i përdorin si bazë për ndërmarrjen e masave konkrete, e jo si arsye për penalizim.
Jerliu Ramadani vë theks të veçantë edhe te roli i punonjësve socialë në institucionet shëndetësore. Sipas saj, çdo spital duhet të ketë një departament të pavarur të punonjësve socialë, me strukturë profesionale dhe kompetenca të qarta. Ajo argumenton se punonjësit socialë nuk janë staf ndihmës, por pjesë e ekipit multidisiplinar dhe e procesit të vendimmarrjes, duke mbrojtur të drejtat e pacientëve, ndërmjetësuar komunikimin mes familjeve dhe stafit mjekësor, menaxhuar rastet dhe garantuar vazhdimësinë e kujdesit.
Në reagimin e saj, ajo rikujton edhe thirrjen publike të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, të bërë më 7 qershor, kur ai u kishte bërë apel qytetarëve që të merrnin pjesë dhe të shprehnin zërin e tyre. Sipas saj, kjo ftesë është e mirëpritur, por pjesëmarrja e qytetarëve ka kuptim vetëm nëse institucionet janë të gatshme të dëgjojnë, të reflektojnë dhe të veprojnë mbi shqetësimet e ngritura.
Në fund, Vana Jerliu Ramadani thekson se shëndetësia nuk mund të përmirësohet vetëm me deklarata publike, por kërkon hapje ndaj profesionistëve dhe zbatim të reformave konkrete. Ajo shprehet e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj profesionale për një sistem shëndetësor më human, më të drejtë dhe më profesional, duke shtuar se do të mbështesë çdo hap të Ministrisë së Shëndetësisë që synon përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.



