Pezullimi i bisedimeve nga LDK-ja, LV: Jemi të hapur për dialog – opozita të mos barrikadohet

16 korrik 2026 | 13:00

Pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të pezulluar bisedimet për formimin e institucioneve, nga partia në pushtet thonë se mbeten të angazhuar për dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje politike.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se partia po vazhdon përpjekjet për të gjetur një zgjidhje përmes takimeve dhe bashkëpunimit me partitë tjera.

“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktiv e konstruktiv për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje”, ka deklaruar Manxhuka.

Ai ka shprehur shpresën që opozita të mos e ndërpresë procesin e dialogut dhe të mos e çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë në zgjedhje përsëri”, ka thënë zëdhënësi i LVV-së.

LDK-ja ka vlerësuar se zhvillimet e fundit kanë ndikuar në klimën politike dhe në procesin e diskutimeve ndërmjet partive.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar të mërkurën pasdite se do t’i ndërpresë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Kosovës, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.

Në një mesazh drejtuar anëtarësisë, votuesve dhe popullit të Kosovës, Abdixhiku ka theksuar se zhvillimet e fundit e detyrojnë të tërhiqet përkohësisht nga procesi i negociatave politike.

Kujtojmë se të premten më 10 korrik, Kurti dhe Abdixhiku zhvillua bisedime në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të qershorit.

Derisa takimi nuk solli ndonjë përparim konkret, të dy liderët thanë se dëshirojnë t’i japin fund krizës institucionale dhe politike që e ka goditur vendin për gati dy vjet, duke i shmangur ato që do të ishin zgjedhjet e katërta radhazi parlamentare gjatë kësaj periudhe.

Të njëjtit u zotuan se do të zhvillojnë bisedime të mëtutjeshme në ditët në vijim.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditëve.

Si rrjedhojë e këtyre afateve kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit ka kohë të thirret deri më 7 gusht.

Në këtë seancë bëhet konstituimi i Kuvendit, zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, ndërsa më pas vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se mosthirrja e…