Kurti ndau 200 mijë euro për vërshimet në Bosnjë, ndërsa për qytetarët e Kosovës asnjë cent
Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka akuzuar qeverinë në detyrë, të udhëhequr nga Albin Kurti, se nuk ka kompensuar qytetarët e Kosovës për dëmet e shkaktuara nga vërshimet, ndërsa, sipas tij, ka ndarë 200 mijë euro ndihmë për Bosnje e Hercegovinën.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Ramadani tha se dëmet nga vërshimet në Kosovë nuk janë kompensuar që nga viti 2022, pavarësisht se, sipas tij, kjo është obligim ligjor.
“Prej vitit 2022 në Kosovë nuk i kanë kompensuar dëmet nga vërshimet që kanë ndodhur në vend. Pra, ka pasur vërshime në vitet 2022, 2023, 2025 dhe 2026. Asnjë cent nuk u është kompensuar qytetarëve të Kosovës, edhe pse kjo është obligim ligjor. Por, a e dini që më 11 tetor 2024 kjo Qeveri i ka dërguar 200 mijë euro Bosnjës për shkak të vërshimeve, për t’i kompensuar qytetarët në Bosnje? A po e kuptoni? Domethënë, pyetja që shtrohet mbi të gjitha është: pse e kanë këtë inat kaq të madh ndaj popullit? A është kjo strategji politike për t’i shkelur njerëzit që të mos bëjnë zë?”, tha Ramadani.



