28 vjet nga rënia e dëshmorit të kombit Gani Paçarizi – RREZIKU!

18 korrik 2026 | 09:05

Nuhi A. Paçarizi 

Sot, më 18 korrik 2026, u bën 28 vjet pa shokun tim më të mirë Gani Paçarizi, i njohur gjatë luftës së UÇK-së, me nofkën RREZIKU, i cili pikërisht më 18 korrik 1998 ra dëshmor i kombit, në rrugën Fortesë-Sapniq, derisa po kthehej me mision për në Shtabin e UÇK-së në Drenoc të Zatriqit, ku nuk mbërriti kurrë, ngaqë dora serbe ia mori jetën.
Nuk kam pas dhembje më të madhe se atë paradite të kobshme, ngaqë komandanti i Shtabit të Drenocit Xhemë Gashi – “Gjermani” më ngarkoi me detyrë për të shkuar në Lubizhdë të Malishevës, ku e kishte familjen Ganiu, për t’i njoftuar se birin e tyre e kishin vrarë. Ishte tepër e rëndë, kujt iu ka vra ndonjë shok në luftë e ka provuar këtë ndjenjë. Edhe më të rëndë e bënte fakti se nëna e Ganiut, e kishte lënë të birin shëndosh e të fortë, para dy-tre ditësh në Drenoc, ku ishte për vizitë, e unë po shkoja për t’i dhënë lajmin e kobshëm se birin e saj e kishin vrarë. Lajmin e priti si burrnesh, nuk derdhi asnjë pikë loti: “Nuhi, biri im, kur keni shku në luftë e kam ditë që mund të vriteni!” Bile edhe më ngushëlloi për shokun, se e dinte që Ganiun – Rrezikun e kisha shokun më të dashur!
Bashkë me mbesën e Ganiut u nisëm për në Drenoc, për të marrë trupin e Ganiut dhe për ta varrosur në Lubizhdë, në fshatin e tij të lindjes.
Rruga ishte e rëndë, e mërzitshme! Erdhëm dhe e morëm Ganiun-RREZIKUN, nuk donim të pranonim se ai tashmë i takonte përjetësisë, e jo ne të gjallëve.
Gani Paçarizi – RREZIKU u varros me nderime në Lubizhdë.
Pas rregullimit të varrezave të dëshmorëve në Landovicë e vendimit për t’i varrosur dëshmorët e Zonës së Pashtrikut në Landovicë, trupi i dëshmorit të kombit Gani Paçarizi-RREZIKU, u zhvarros nga varrezat në Lubizhdë dhe u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, ku pushon edhe sot. Por, ajo çka më dhemb është fakti se në pllakën e varrit të dëshmorit Gani Paçarizi data e rënies është e shkruar gabimisht më 17.07.1998, çka nuk është e vërtetë, ai ra dëshmor më 18.07.1998, kjo është e vërteta historike.

Kam lexuar edhe disa shkrime ku është e falsifikuar data e rënies, sikundër kam lexuar shkrime nga ish-ushtarë e ish-komandantë që shkruajnë me mburrje për dëshmorin e kombit Gani Paçarizi-RREZIKU, ndërkohë që ata ato ditë nuk kanë qenë fare në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell, por…