Lushaku për rezultatet e PISA-s: Turpi qeveritar, tre nga katër nxënës nuk arrijnë nivelin bazë

08 shtator 2026 | 12:32

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të PISA 2025, duke i cilësuar ato si “shqetësuese” dhe si dëshmi të dështimit të sistemit arsimor në Kosovë.

Lushaku ka thënë se tre nga katër nxënës të Kosovës nuk e arrijnë nivelin bazë në matematikë, lexim dhe shkencë, duke theksuar se rezultatet nuk kanë shënuar përmirësim gjatë dekadës së fundit.

Sipas saj, në matematikë Kosova kishte 362 pikë në vitin 2015, ndërsa në PISA 2025 rreth 350 pikë. Në lexim, nga 347 pikë në vitin 2015, rezultati ka rënë në rreth 340, ndërsa në shkencë, nga 378 në rreth 357 pikë.

“Pas dhjetë vjetësh, jo vetëm që nuk ka ndodhur ndryshim, por në të tri fushat rezultati është më i ulët se kur Kosova hyri për herë të parë në PISA”, ka deklaruar Lushaku.

Lushaku ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si është menaxhuar arsimi gjatë viteve të fundit. Ajo ka përmendur, ndër të tjera, problemet me tekstet shkollore, grevat, digjitalizimin, mungesën e mësimit tërëditor dhe, sipas saj, mungesën e një sistemi të fuqishëm për matjen e cilësisë në arsim.

Lushaku ka thënë se nuk janë bërë reformat e nevojshme në zhvillimin profesional dhe vlerësimin e mësimdhënësve, si dhe në menaxhimin e shkollave.

Sipas saj, sistemi arsimor vazhdon të mbështetet shumë në riprodhimin e informacionit, në vend të zhvillimit të leximit me kuptim, mendimit kritik, arsyetimit dhe zgjidhjes së problemeve.

“Prandaj, Qeveria duhet të turpërohet sot para familjeve dhe fëmijëve të Kosovës!”, ka përfunduar Lushaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mohamed Salah vazhdon të shkruajë histori edhe pas largimit nga…