Maqedonci: Do të zgjidhet problemi i pagesës së orëve shtesë për ushtarët
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se Ministria e Mbrojtjes është në koordinim me Ministrinë e Financave për të gjetur zgjidhje për pagesën e orëve shtesë të ushtarëve, ndërsa thekson se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të dërgojë pjesën tjetër të kontingjentit në misionin ndërkombëtar në Gaza sapo të merret kërkesa nga komanda e misionit.
Ai deklaron se FSK-ja ka tejkaluar objektivat e planit të tranzicionit, falë investimeve në armatim, pajisje dhe trajnim.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Maqedonci tha se Kosova ka qenë ndër shtetet e para që ka ndërmarrë hapat konkretë për pjesëmarrje në këtë mision, duke dërguar fillimisht ekipin për vlerësimin e terrenit dhe më pas oficerët ndërlidhës.
Ai theksoi se siguria e ushtarëve të FSK-së mbetet prioritet absolut, duke pranuar se misioni zhvillohet në një rajon me rrezikshmëri të lartë, por se janë marrë të gjitha masat për minimizimin e rrezikut.
“Ne sot prej periudhës kur e kam marrë të paktën unë detyrën më 8 gusht të vitit 2023, kemi rregulluar shumë çështje që kanë qenë deri në atë periudhë pezull. Për shembull, transporti i pjesëtarëve nga vendbanimet e tyre në kazermat e FSK-së, pastaj çështja e ushqimit. Dihet që për një periudhë të gjatë ne jemi varur nga kontraktorët, sot Forca e Sigurisë së Kosovës përgatit ushqimin me kapacitetet e veta. Përveç që përgatit ushqimin me kapacitetet e veta, gjatë ushtrimit të fundit në Kroaci që kemi pasur, ne kemi ofruar kapacitete të mbështetjes me shërbimet e ushqimit për trupat partnere. Pra prej një periudhe kur jemi varur nga kontraktorët, jemi në një fazë ku ne po ofrojmë edhe për partnerët ndërkombëtarë mbështetje me shërbimet e ushqimit.
U kemi siguruar aspektin e uniformave edhe çizmeve që për një periudhë, për shkak të procedurave të prokurimit, kanë qenë pezull. Të zhvillimit gjithashtu të uh aspektit të pajisjeve individuale, pra. Të gjitha, të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës sot kanë pajisje të nevojshme individuale, taktike, mbrojtëse, por edhe pajisje të tjera të nevojshme. Ne mund të shohim kur performojmë edhe me vendet e tjera, ne jemi në mesin e vendeve më që ka ushtarët më të pajisur me pajisjet individuale“, u shpreh ai.
Ai shpjegoi dy mënyra që si ministri kompensojnë orët shtesë.
“Një ndër çështjet që duhet të punojmë për të zgjidhur është çështja e pagesës së orëve shtesë. Unë duhet të theksoj për opinionin publik që janë dy mënyra se si ne kompensojmë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që punojnë jashtë orarit. Është mënyra e parë që e aplikojmë përmes ditëve të lira, pra pjesëtari që shërben, që punon pas orarit merr ditët e lira, dhe në mënyrën tjetër me kompensim financiar. Ne në përgjithësi, pra për çdo pjesëtar e kemi shpenzuar këtë pjesën e ditëve të lira, pra ne u japim ditë të lira. Normalisht që për shkak të aktiviteteve të shumta nuk mjafton që vetëm me ditë të lira të kompensojmë punën shtesë të ushtarëve, pra mbesin ditë që duhet të paguhen me mund të themi me para, pra me pagesë shtesë.
Dhe ne kemi adresuar kërkesat e nevojshme te Ministria e Financave për të marrë buxhet shtesë sepse dihet që është një kufizim në nivel qeveritar përmes një ligji që lejon vetëm 1% të buxhetit të shpenzohet për këto çështje, pra për pagesat shtesë. Prandaj ne detyrohemi që të kërkojmë mjetë shtesë, pra nga qeveria, nga Ministria e Financave në mënyrë që të mbulojmë këtë aspektin e mungesës që kemi të mjeteve shtesë”, tha ai.
Maqedonci shtoi se Ministria e Mbrojtjes është në koordinim me Ministrinë e Financave dhe shprehu besimin se do të gjendet një zgjidhje për pagesën e orëve shtesë të ushtarëve.



