Time Kadrijaj i bashkohet sfidës së Burim Ramadanit, e kryen narko-testin
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, i është nënshtruar vullnetarisht testit që dëshmon përdorimin ose jo të drogës.
Ajo ka deklaruar se me këtë veprim synon të japë shembull dhe të ngrejë vetëdijen lidhur me përdorimin e substancave narkotike. Ky proces është kryer mëngjesin e së hënës në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Rezultatet janë publikuar rreth orës 13:00, duke konfirmuar se deputetja ka rezultuar negative në testin për përdorim droge.
Pas përfundimit të testimit dhe publikimit të rezultateve, Kadrijaj ka deklaruar për “Kosovapress” se transparenca dhe llogaridhënia duhet të vlejnë edhe për zyrtarët publikë.
Deputetja e zgjedhur, e cila është politikanja e dytë që i nënshtrohet narko-testit, pas Burim Ramadanit, i cili e mori iniciativën, ka propozuar që testimi të rregullohet me ligj dhe të bëhet i detyrueshëm në institucione, por edhe në sistemin arsimor.
“Duhet ta bëjmë një ligj që t’i detyrojë të gjitha institucionet, pavarësisht cilit sektor i përkasin. Edhe Kuvendi, edhe Policia, edhe Ushtria, edhe shkollat, edhe mësimdhënësit, edhe mjekët, të gjithë duhet t’i nënshtrohen narkotestit, në mënyrë që të ketë transparencë dhe të luftohet ky fenomen i keq”, ka deklaruar ajo.
Ajo i ka ftuar edhe deputetët e tjerë që t’i përgjigjen sfidës për t’iu nënshtruar testimit.
“Jini transparentë me publikun. Nëse ekziston qoftë edhe pak dyshim dhe një deputet apo zyrtar i lartë sfidohet ta bëjë narkotestin e nuk e bën, atëherë vihet në pikëpyetje besueshmëria e tij”, është shprehur Kadrijaj.
Testi bëhet në laboratorin e Klinikës së Gjinekologjisë, por vetëm me udhëzimin i cili paraprakisht merret në Klinikën e Psikiatrisë.



