Zemaj për investimet kapitale në shëndetësi: Më pak se 2% u realizuan në gjashtëmujorin e parë
Deputeti Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë për nivelin e investimeve kapitale në sektorin e shëndetësisë, duke thënë se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë realizuar më pak se 2 për qind e investimeve të planifikuara.
Në një postim në Facebook, Zemaj tha se pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë të shërbimeve cilësore, kushteve dinjitoze, pastërtisë dhe barnave.
“Kur pacientët kanë nevojë për shërbime më të mira, kushte dinjitoze, pastërti dhe barna, qeveria e paaftësisë dhe e mashtrimit, vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, ka realizuar më pak se 2% të investimeve kapitale në shëndetësi, pothuajse njësoj si në vitet e kaluara”, shkroi Zemaj.
Ai e cilësoi këtë situatë si dëshmi të mungesës së punës dhe menaxhimit në sektorin publik.
“Kjo është pasqyra e një qeverie ku mungon pothuajse gjithçka dhe ku nuk punohet për asgjë”, deklaroi ai.



