Hegseth: Lufta me Iranin i ka kushtuar ShBA-së 37.5 miliardë dollarë
Lufta me Iranin i ka kushtuar deri tani Shteteve të Bashkuara rreth 37.5 miliardë dollarë, një rritje prej afro 8 miliardë dollarësh krahasuar me vlerësimin e fundit të bërë në maj, ka deklaruar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Hegseth i ka thënë Komitetit të Buxhetit të Senatit se është urgjente që ligjvënësit të miratojnë edhe 87 miliardë dollarë shtesë për Pentagonin, prej të cilave 67 miliardë dollarë do të përdoren për operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.
Seanca dëgjimore është ndërprerë disa herë nga protestues kundër luftës dhe ka përfunduar me një përplasje të ashpër verbale mes sekretarit të Mbrojtjes dhe një senatori. Kjo ka qenë paraqitja e parë e Hegseth në Capitol Hill që nga rifillimi i armiqësive mes ShBA-së dhe Iranit javën e kaluar. Seanca është zhvilluar pasi është konfirmuar se tre ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në rajon.
Në prill, Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kongresit të miratojë një buxhet prej 1.5 trilionë dollarësh për Pentagonin për vitin e ardhshëm fiskal, çka do t’i çonte shpenzimet ushtarake amerikane në nivelin më të lartë të regjistruar në epokën moderne.
Ndërkohë, ShBA-ja ka kryer të martën ditën e 11-të radhazi të sulmeve, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj forcave amerikane dhe aleatëve të tyre në Lindjen e Mesme.
Duke hapur dëshminë e tij, Hegseth ka deklaruar se “jetojmë në një botë të rrezikshme” dhe se kjo situatë kërkon veprime të guximshme dhe të shpejta.
Pavarësisht ndërprerjeve nga protestuesit, ai ka theksuar se kërkesa për financim shtesë është urgjente.
“Pa këto fonde, ne përballemi me mungesa kritike që rrezikojnë aftësinë tonë për të paguar personelin ushtarak, për të rimbushur me shpejtësi pajisjet dhe municionet, si dhe për të garantuar vazhdimësinë e operacioneve jetike pa ndërprerje”, ka thënë Hegseth.



