Nisma për shkarkimin e Abdixhikut, Ferati: Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve të delegatëve

22 korrik 2026 | 15:51

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, ka bërë me dije se ka përfunduar procesi i verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve të kësaj partie, të cilët kanë kërkuar mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së.

Ai ka treguar se tani janë duke u marrë me çështje teknike për ta bërë gati partinë për këtë Kuvend, ku pritet të kërkohet shkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku.

“Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve, tash po presim përgatitjen e pjesëve të tjera, të cilat janë teknike, por si sekretariat jemi duke punuar në këtë drejtim, në mënyrë që të jetë e mundshme që sa më shpejt t’i japim drejtim demokratik partisë. Në momentin që jemi të gatshëm, e njoftojmë kryetarin dhe pastaj ai, në një afat sa më të shpejtë, ta bëjë ftesën për Kuvendin. Nuk ka arsye për shtyrje të Kuvendit dhe, me sa kam parë, edhe kryetari është i interesuar që sa më shpejt ta kryejë këtë proces, që të krijojë njëfarë paqeje brenda njerëzve të LDK-së”, ka deklaruar ai për “Radio Dukagjini”.

Ai ka mohuar të ketë ndonjë ujdi mes LDK-së dhe VV-së për bashkëqeverisje.

“Ne nuk kemi diskutuar me Vetëvendosjen për pozicione dhe as për emra. Në këtë takim janë diskutuar parimet të cilat duhet të respektohen tutje për të zhvilluar diskutimin në kuptim të pozicioneve. Ende nuk jemi në atë fazë. Në momentin që diskutojmë për parime, edhe pse sigurisht një prej tyre duhet të jetë zgjidhja e çështjes që na ka çuar në zgjedhje, i bie pjesa e presidentes. Kjo është çështje e negociatave. Ne e kemi kandidaten me votë të Këshillit të Përgjithshëm, Vjosa Osmanin, e cila ka qenë bartëse e listës dhe njëherësh edhe kandidate për presidente, por tani është ende herët të diskutohet, sepse nëse nuk ka dakordancë për parime, nuk vazhdojmë tutje”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur në takim drejtorin…