Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik

23 korrik 2026 | 11:10

Shkruan: Hisen Berisha

(Shtetet nuk gjykohen vetëm nga madhësia e tyre, por nga aftësia për të ndërtuar aleanca të qëndrueshme, institucione funksionale dhe kapacitete të besueshme shtetërore.)

Bota po hyn në një fazë të re të rivalitetit strategjik, ku siguria, ekonomia, teknologjia dhe diplomacia po ndërthuren në një arkitekturë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare. Lufta në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme, rivaliteti në rritje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, militarizimi i Indo-Paqësorit, kërcënimet hibride dhe transformimi i NATO-s kanë krijuar një realitet të ri gjeopolitik, në të cilin shtetet nuk gjykohen vetëm nga madhësia e tyre, por nga aftësia për të ndërtuar aleanca të qëndrueshme, institucione funksionale dhe kapacitete të besueshme shtetërore.
Në këtë kontekst, Kosova nuk mund të mbetet peng i krizave të brendshme politike.
Përkundrazi, pikërisht në këtë periudhë duhet të konsolidojë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të pozicionohet si një faktor aktiv në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.
Dialogu Strategjik me SHBA-në nuk është një proces formal apo një takim me karakter protokollar.
Ai përfaqëson nivelin më të lartë të koordinimit politik dhe strategjik ndërmjet dy shteteve dhe shërben si platformë për harmonizimin e politikave në fushën e sigurisë, mbrojtjes, diplomacisë, ekonomisë, energjisë dhe zhvillimit institucional.
Pikërisht për këtë arsye, ky dialog ka rëndësi shumë më të madhe sesa perceptohet shpesh në debatin e brendshëm politik.
Kosova ka pasur mundësi ta iniciojë këtë proces shumë më herët. Megjithatë, tensionet e panevojshme me partnerët strategjikë, mungesa e koordinimit diplomatik dhe një qasje politike që shpesh ka favorizuar përplasjen në vend të bashkëpunimit kanë bërë që ky mekanizëm të mbetet i bllokuar.
Humbja e kohës në diplomaci rrallëherë kompensohet më vonë, sepse zhvillimet ndërkombëtare ecin me ritëm shumë më të shpejtë sesa debatet e politikës së brendshme.
Ndërkohë, Serbia ka ndërmarrë iniciativën për ta filluar dialogun strategjik me SHBA-në.
Ky zhvillim nuk duhet interpretuar si ndryshim i orientimit të saj strategjik. Serbia vazhdon ta ruajë bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë dhe Kinën, por në të njëjtën kohë po ndërton kanale të institucionalizuara komunikimi me Uashingtonin, për të mos mbetur jashtë arkitekturës së re të sigurisë evropiane.
Ky është pragmatizëm diplomatik dhe përpjekje për të maksimizuar hapësirën e saj manovruese në raport me fuqitë e mëdha.
Kosova nuk duhet ta shohë këtë zhvillim me shqetësim emocional, por si një sinjal të qartë se avantazhi historik i partneritetit me Shtetet e Bashkuara nuk është i vetëqëndrueshëm.
Ai duhet kultivuar, thelluar dhe institucionalizuar vazhdimisht.
Në diplomaci nuk mjafton të jesh mik por duhet të jesh partner aktiv, i besueshëm, serioz dhe me institucione që funksionojnë.
Në këtë kuadër, dialogu strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së duhet të ndërtohet mbi disa objektiva themelorë si, ngritjen e partneritetit në një nivel të ri strategjik; përshpejtimin e integrimit euroatlantik; zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe të kapaciteteve vendore të sigurisë; rritjen e investimeve amerikane në sektorët strategjikë të ekonomisë; si dhe koordinimin e politikave për përballimin e kërcënimeve hibride, luftës informative dhe ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.
Mesazhi është i qartë, Kosova nuk mund të pretendojë të jetë faktor sigurie në rajon pa qenë në sinkron të plotë strategjik me aleatin e saj kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Njëkohësisht, vendi po përballet me një bllokadë institucionale që po e dëmton seriozisht funksionalitetin shtetëror.
Mosfunksionimi i institucioneve nuk përbën vetëm krizë politike; ai prodhon pasoja të drejtpërdrejta në sigurinë kombëtare, në aftësinë vendimmarrëse të shtetit dhe në kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Kur institucionet nuk funksionojnë normalisht, vonohen reformat, pengohen marrëveshjet ndërkombëtare, dobësohet besimi i partnerëve strategjikë dhe krijohen hapësira që aktorë të jashtëm t’i shfrytëzojnë për ndikime destabilizuese.
Një shtet që nuk arrin të prodhojë stabilitet institucional e ka shumë më të vështirë të zhvillojë diplomaci aktive dhe të përfitojë nga mundësitë strategjike që krijohen në arenën ndërkombëtare.
Partnerët kanë nevojë për institucione funksionale, me legjitimitet të plotë dhe me kapacitet për të marrë vendime të qëndrueshme.
Në mungesë të tyre, edhe proceset më të rëndësishme strategjike ngadalësohen ose mbeten pezull.
Pikërisht për këtë arsye, sfida kryesore e Kosovës nuk është vetëm menaxhimi i krizës së brendshme politike, por rikthimi i funksionalitetit të plotë institucional si parakusht për avancimin e interesave shtetërore.
Në një botë që po ndryshon me ritme të shpejta, nuk ka vend për vakuum institucional dhe as për improvizim diplomatik.
Aleancat strategjike nuk ndërtohen vetëm mbi historinë e përbashkët, por mbi besueshmërinë, seriozitetin dhe aftësinë e shteteve për të vepruar si partnerë të përgjegjshëm.
Kosova e ka fituar respektin e aleatëve të saj përmes sakrificës dhe orientimit të qartë euroatlantik.
Tani është koha ta forcojë atë respekt përmes institucioneve funksionale, diplomacisë aktive dhe vizionit strategjik.
Në një rend ndërkombëtar që po riformësohet, Kosova nuk ka luksin të mbetet spektatore. Ajo duhet të jetë pjesëmarrëse aktive në proceset që përcaktojnë sigurinë dhe të ardhmen e rajonit.
Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara, funksionaliteti institucional dhe integrimi euroatlantik nuk janë objektiva të ndara, por tri shtyllat mbi të cilat ndërtohet siguria dhe perspektiva afatgjatë e shtetit të Kosovës.
Aleancat ndërtohen në kohë paqeje, kurse në kohë krizash ato vetëm testohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shtetas i Kosovës është ekstraduar nga Italia në Kosovë,…