Në 66-vjetorin e lindjes së Fadil Vokrrit, Granit Geci bën homazhe pranë varrit të legjendës së futbollit kosovar

23 korrik 2026 | 14:30

Me rastin e 66-vjetorit të lindjes së legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit, drejtori për Sport në Komunën e Prishtinës, Granit Geci, ka bërë homazhe pranë varrit të ish-futbollistit dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Geci ishte i shoqëruar nga djali i të ndjerit, Gramoz Vokrri, me të cilin nderoi figurën e njeriut që konsiderohet si futbollisti më i madh në historinë e Kosovës. Në një mesazh të publikuar me këtë rast, Geci tha se Fadil Vokrri mbetet emri më i madh i futbollit shqiptar dhe një figurë që i dha krenari Kosovës si në fushën e blertë, ashtu edhe në institucionet më të larta të futbollit evropian dhe botëror. “Si futbollist, ai ishte simbol i talentit dhe madhështisë. Si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, ai e shndërroi një ëndërr në realitet, duke e bërë Kosovën pjesë të UEFA-s dhe FIFA-s”, ka shkruar Geci.

Ai theksoi se emri i Fadil Vokrrit nuk është vetëm pjesë e historisë së futbollit, por edhe e identitetit sportiv të Kosovës, duke shtuar se kujtimi për të do të mbetet i përjetshëm. Fadil Vokrri lindi më 23 korrik 1960 dhe konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e sportit kosovar. Përveç karrierës së suksesshme si futbollist, ai udhëhoqi Federatën e Futbollit të Kosovës në periudhën kur vendi arriti anëtarësimin historik në UEFA dhe FIFA në vitin 2016. Vokrri u nda nga jeta më 9 qershor 2018, por trashëgimia e tij vazhdon të mbetet një frymëzim për sportin kosovar

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Dardan Krasniqi, ka deklaruar se…