Liverpooli arrin marrëveshje rekord për sponsorizimin e fanellës, më e madhja në historinë e Ligës Premier
Liverpooli ka njoftuar një marrëveshje rekord për sponsorizimin e fanellës me Turkish Airlines, e cila pritet të jetë më e vlefshmja në historinë e Ligës Premier.
Të martën në mëngjes, Liverpooli ka konfirmuar se Turkish Airlines do ta zëvendësojë partnerin e kahershëm, Standard Chartered, si sponsor kryesor në pjesën e përparme të fanellës, duke nisur nga sezoni 2027/28.
Marrëveshja besohet të jetë me vlerë më shumë se 349 milionë euro për pesë vjet, duke e bërë atë, sipas klubit, kontratën më të vlefshme të sponsorizimit në historinë e Ligës Premier.
Në fillim të këtij viti, Liverpooli u bë për herë të parë klubi anglez me të ardhurat më të larta, sipas “Football Money League” të Deloitte, duke gjeneruar plot 818 milionë euro të ardhura.
Kontrata prej rreth 70 milionë eurosh në sezon me Standard Chartered ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë rritje, ndërsa eksperti i financave, Kieran Maguire, ka përmendur zgjerimin e Anfieldit dhe organizimin e eventeve jashtë futbollit si faktorë të rëndësishëm.
“Është çështje e sjelljes së më shumë njerëzve në stadium dhe organizimit të më shumë eventeve aty. Ata kanë pritur koncerte dhe kanë përfituar të ardhura edhe nga këto aktivitete”, kishte thënë ai.
“Ata gjithashtu kanë zgjeruar aktivitetet e dyqaneve të tyre zyrtare në mbarë botën, gjë që sjell të ardhura shtesë”.
Standard Chartered ka qenë partneri kryesor i Liverpoolit që nga viti 2010, por nga sezoni 2027/28 do të kalojë në rolin e partnerit global. Kështu do të vazhdojë një prej partneriteteve më jetëgjata në futbollin botëror.
“Ky njoftim është gjithashtu një mundësi për të vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që Standard Chartered ka dhënë për Liverpoolin gjatë 17 viteve të fundit”, ka thënë Latty.



