Shtëpia e lindjes së Hitlerit bëhet stacion policie në Austri
Shtëpia ku lindi Adolf Hitleri në qytetin austriak Braunau am Inn është shndërruar zyrtarisht në një stacion policie, në përpjekje për të parandaluar që ndërtesa të kthehet në vend pelegrinazhi për neonazistët.
Pas vitesh debatesh për të ardhmen e kësaj ndërtese historike, qeveria austriake ka vendosur që objekti të përdoret nga policia, me synimin për t’i hequr çdo simbolikë që mund të lidhet me glorifikimin e diktatorit nazist.
Në këtë ndërtesë, në prill të vitit 1889, lindi Adolf Hitleri, lideri i Gjermanisë naziste dhe përgjegjësi kryesor për nisjen e Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, gjatë të cilit u vranë rreth gjashtë milionë hebrenj, shkruan Reuters.
Austria e ka blerë pronën pas një beteje të gjatë ligjore dhe më pas ka nisur një proces rikonstruksioni që ka kushtuar rreth 20 milionë euro. Qëllimi ka qenë ndryshimi i pamjes dhe funksionit të ndërtesës, në mënyrë që ajo të mos shërbejë si pikë grumbullimi për simpatizantët e ekstremit të djathtë.
Ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, ka deklaruar se përdorimi i objektit nga policia përfaqëson sundimin e ligjit dhe demokracinë, në kundërshtim me trashëgiminë e regjimit nazist.



