Donald Trump shumë pranë një sulmi masiv ndaj Iranit
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në një intervistë ekskluzive për Axios se po shqyrton seriozisht nisjen e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit, i cili, sipas tij, do të ishte më i madh se sulmet e mëparshme të kryera gjatë operacionit “Epic Fury”.
Megjithatë, ai theksoi se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
“Po shqyrtoj një sulm masiv. Më të madh se kurrë më parë. Jam pranë marrjes së një vendimi. Jemi plotësisht të përgatitur për këtë,” citohet të ketë thënë Trump për Axios.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga media, deri tani nuk është dhënë asnjë urdhër i ri për ushtrinë amerikane.
Trump deklaroi gjithashtu se Izraeli do t’i bashkohej operacionit “brenda dy minutash” nëse do ta kërkonte SHBA, por shtoi se Washingtoni është në gjendje të veprojë edhe i vetëm.
Ai paralajmëroi se përfshirja e Izraelit mund të sillte pasoja, duke lënë të kuptohet se Irani mund të kundërpërgjigjej ndaj tij.
Sipas raportimit, administrata amerikane ka intensifikuar operacionet ushtarake gjatë ditëve të fundit pas sulmeve ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Trump akuzoi gjithashtu Iranin për mbështetjen e rebelëve Houthi në Jemen dhe paralajmëroi se çdo sulm i ri i tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq do të konsiderohet përgjegjësi e Teheranit.
Burime rajonale të cituara nga Axios thanë se Irani ende nuk ka pranuar propozimin më të fundit për negociata, ndërsa Trump u shpreh se Teherani dëshiron të negociojë, por nuk është ende gati për një marrëveshje.



