Hisen Berisha: Bashkëqeverisja me Albin Kurtin rrezikon funksionalitetin kushtetues dhe orientimin strategjik të Kosovës

24 korrik 2026 | 21:54

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka kritikuar ashpër mundësinë e bashkëqeverisjes me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke vlerësuar se një bashkëpunim i tillë do të mbështeste, sipas tij, një kurs politik që rrezikon funksionalitetin kushtetues dhe orientimin strategjik të Republikës së Kosovës.

Në një postim në ‘Facebook’, Berisha argumenton se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi luftën çlirimtare, ndërhyrjen e NATO-s, mbështetjen e SHBA-së dhe legjitimitetin ndërkombëtar, duke theksuar se relativizimi i këtyre themeleve cenon substancën kushtetuese dhe ndërkombëtare të vendit.

Ai shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si relativizim të rolit të UÇK-së dhe procesit të shtetformimit, duke pretenduar se ky diskurs përputhet me narrativat e Serbisë dhe Rusisë kundër legjitimitetit të Kosovës.

Berisha ngre gjithashtu pretendime për krizë të legjitimitetit institucional, duke kontestuar ushtrimin e detyrës së presidentit dhe duke argumentuar se mosrespektimi i standardeve kushtetuese vë në pikëpyetje vlefshmërinë e akteve institucionale.

Në reagimin e tij, ish-deputeti përmend edhe një sërë zhvillimesh politike dhe ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, Planin Franko-Gjerman, çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, raportet me aleatët perëndimorë dhe dialogun me Serbinë, për të cilat thotë se kanë ndikuar në dobësimin e subjektivitetit politik dhe ndërkombëtar të Kosovës.

Në fund, Berisha thekson se bashkëqeverisja me Albin Kurtin nuk është vetëm një çështje e krijimit të shumicës parlamentare, por një zgjedhje që, sipas tij, përcakton orientimin strategjik të Republikës së Kosovës, duke shtuar se çdo subjekt që bëhet pjesë e një qeverisjeje të tillë mban përgjegjësi politike për pasojat që mund të ketë ky kurs.

Postimi i plotë i tij:

Bashkëqeverisja me Albin Kurtin, mbështet kursin politik që rrezikon funksionalitetin kushtetues dhe orientimin strategjik të Republikës së Kosovës

Republika e Kosovës nuk është produkt i një kompromisi politik të zakonshëm. Ajo është rezultat i së drejtës historike të popullit të Kosovës për vetëvendosje, i luftës çlirimtare, i ndërhyrjes së NATO-s të prirë nga SHBA-të, i procesit të administrimit ndërkombëtar dhe i legjitimimit juridik e politik nga bota demokratike. Pikërisht për këtë arsye, themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti nuk mund të relativizohen pa cenuar vetë substancën e tij kushtetuese dhe ndërkombëtare.

Në çdo shtet demokratik ekziston dallimi ndërmjet debatit politik dhe cenimit të themeleve të shtetit.
Debati është pjesë e demokracisë, kurse rrënimi i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti është cenim i vetë rendit kushtetues.
Në këtë këndvështrim duhet analizuar zhvillimi politik në Kosovë gjatë viteve të fundit.

Një nga fenomenet më shqetësuese është përdorimi politik i historisë së shtetit të Kosovës nga eksponentë të pushtetit aktual.
Relativizimi i luftës për liri, i rolit të UÇK-së dhe i procesit të shtetformimit nuk përfaqëson rishikim akademik të historisë, por prodhon pasoja politike e strategjike.
Ky diskurs përputhet në mënyrë të dukshme me narrativat që Serbia dhe Rusia kanë ndërtuar prej më shumë se dy dekadash kundër legjitimitetit të shtetit të Kosovës.
Kur një shtet fillon të rrëzojë vetë bazën morale dhe juridike mbi të cilën është ndërtuar, ai dobëson edhe pozitën e tij në arenën ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, kriza politike është shndërruar edhe në krizë të legjitimitetit institucional.
Ushtrimi i detyrës së Presidentit të Republikës nga Albulena Haxhiu përbën objekt kontestimi serioz juridik. Kuvendi i Republikës, së bashku me Kryetaren e tij, është shpërndarë me dekret presidencial dhe në rrethana formale procedurash të përcaktuara nga masa juridike përkatëse të vendosura nga Gjykata Kushtetuese.
Në këtë interpretim, nga data 5 prill 2026 funksioni i Ushtruesit të Detyrës së Presidentit është dashur t’i kalonte Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse ky standard kushtetues nuk respektohet, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i akteve që burojnë nga institucioni presidencial.

Megjithatë, problemi nuk kufizohet vetëm te çështja e legjitimitetit formal. Ai lidhet me modelin e qeverisjes që po konsolidohet.
Historia e sistemeve autoritare dëshmon se kapja e shtetit nuk fillon me shfuqizimin e Kushtetutës, por me nënshtrimin gradual të institucioneve që duhet ta mbrojnë atë.
Fillimisht dobësohet pavarësia e drejtësisë, më pas neutralizohen institucionet kushtetuese dhe në fund kontrolli politik shtrihet mbi gjithë sistemin.

Në këtë kuptim, analogjia me nenin famëkeq “55” të Kodit Penal të Shqipërisë komuniste nuk lidhet me rikthimin formal të një dispozite ligjore, por me rikthimin e filozofisë që ai mishëronte.
Neni 55 për “agjitacion dhe propagandë” u përdor për eliminimin politik të kundërshtarëve, për burgosjen e elitës intelektuale dhe për shkatërrimin e mendimit të lirë. Rreziku nuk qëndron te përsëritja mekanike e historisë, por te mundësia që të rikthehet logjika e saj, pra, drejtësi selektive, kontroll politik mbi institucionet dhe kriminalizim i mendimit kritik.
Për këtë arsye, paralajmërimet për instrumentalizimin e “dosjeve komprometuese” të dixhitakizuara tashmë nga eksponent të LVV në arkivat e Beigradit dhe përdorimin e mekanizmave shtetërorë për eliminimin politik të kundërshtarëve nuk duhen shpërfillur, por duhet analizuar me seriozitetin që kërkon mbrojtja e demokracisë kushtetuese.

Në planin strategjik, një varg zhvillimesh konkrete kanë ndryshuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe kanë krijuar një realitet të ri politik. Këtu përfshihen Marrëveshja e Ohrit dhe Plani Franko-Gjerman; Statuti i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe; nxjerrja e komunave veriore jashtë sistemit energjetik të Kosovës; marrëveshja për targat e rexhimit të Millosheviçit; regjimi i lëvizjes në pikat kufitare me Serbinë, duke hequr letren e bardhë që përmbante shënimet e pasaportës së Republikës së Kosovës (që Serbia nuk e njeh); përligjia e dokumenteve/pasaporta që u lëshohen qytetarëve kosovarë të komunitetit serb përmes strukturave të Beogradit, përkatësisht “Zyres për Kosovën” në rolin e qeverisë provizore të asociacionit; shtyrja për dhjetë vjet e detyrimit për njohje dhe heqje nga kushtetuta e saj, si kushtëzim i Serbisë në raport me Kosovën në kuadër të nenit 35 të procesit të integrimit evropian; refuzimi i projektit amerikan për pavarësimin energjetik të Kosovës dhe rajonit; përplasja me aleatët strategjikë; vendosja e masave nga Bashkimi Evropian dhe ndërprerja e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës; si dhe miratimi i ligjit për shtetësinë e kolonëve serbë nga Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia, të sjellë në Kosovë në kohën e regjimit të Millosheviçit.

Secili prej këtyre zhvillimeve, i marrë veçmas, mund të arsyetohet politikisht. Por analiza strategjike nuk ndërtohet mbi ngjarje të izoluara.
Ajo analizon efektin kumulativ të tyre. Pikërisht ky efekt kumulativ tregon dobësimin gradual të subjektivitetit politik dhe ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Po aq domethënëse është edhe qasja ndaj trashëgimisë së luftës për liri. Kërkesa e Kryeministrit Kurti drejtuar Presidentit Emmanuel Macron që liderët e UÇK-së të mos lirohen nga Haga, me arsyetimin se lirimi i tyre do të ndikonte negativisht në implementimin e projektit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përbën një zhvillim me peshë politike dhe simbolike.
Për herë të parë, sipas këtij interpretimi, përfaqësuesit e luftës çlirimtare nuk paraqiten si pjesë e legjitimitetit historik të shtetit, por si faktor që mund të pengojë një proces politik.

Kur këto zhvillime analizohen në mënyrë të ndërlidhur, krijohet një tablo që shkon përtej debatit të zakonshëm politik. Ato sugjerojnë një zhvendosje graduale nga paradigma e konsolidimit të shtetit sovran drejt një modeli që relativizon sovranitetin e Kosovës, dobëson funksionalitetin kushtetues dhe e bën shtetin më të cenueshëm ndaj presioneve të jashtme.
Pikërisht në këtë kuptim rikthehet si analogji formula e dikurshme e Sllobodan Millosheviqit, “më shumë se autonomi, por më pak se pavarësi”, jo si slogan politik, por si përshkrim i një rreziku strategjik që, sipas këtij vlerësimi, mund të materializohet nëse ky kurs politik vazhdon me ketë ekip politik jugonostalgjikësh në qeverisje.

Prandaj, çështja e bashkëqeverisjes me Albin Kurtin nuk është vetëm çështje e ndarjes së pushtetit apo e krijimit të një shumice parlamentare. Ajo është një zgjedhje për orientimin strategjik të Republikës së Kosovës. Kushdo që vendos të bëhet pjesë e këtij projekti politik, në mënyrë të pashmangshme merr edhe përgjegjësinë politike për pasojat që ky orientim mund të prodhojë mbi rendin kushtetues, funksionalitetin institucional, marrëdhëniet me aleatët strategjikë dhe vetë të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka intensifikuar veprimet…