Nis rehabilitimi i zonave të degraduara në pellgun e Drinit të Bardhë
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë me dije se ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me përfaqësuesit e CNVP-së, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe rehabilitimit të zonave të degraduara përgjatë pellgut të lumit Drini i Bardhë.
“Ky partneritet forcon angazhimin tonë për mbrojtjen e burimeve natyrore, rikthimin e ekosistemeve të dëmtuara dhe ndërtimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për qytetarët tanë”, ka njoftuar Pacolli.
Përmes këtij projekti do të rehabilitohen mbi 5 hektarë tokë të degraduar; Do të realizohen mbjellje të reja për ripyllëzimin e zonave të dëmtuara; Do të mbrohet biodiversiteti dhe ekosistemet natyrore dhe do të rritet ndërgjegjësimi i komunitetit për rëndësinë e pyjeve dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim iniciativa që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm, menaxhim të përgjegjshëm të pasurive natyrore dhe një të ardhme më të gjelbër për Kosovën”, ka deklaruar ministrja Pacolli.



