Shahini takon në Paris senatorët Meignen dhe Szpiner
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, gjatë qëndrimit në Paris ka zhvilluar një takim me senatorët francezë Thierry Meignen dhe Francis Szpiner, me të cilët ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve Kosovë – Francë dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik.
Takimit ishin në frymën e rritjes se besimit dhe investimeve franceze në Kosovë, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve, promovimi i potencialeve ekonomike të Kosovës dhe krijimi i partneriteteve të reja me kompanitë franceze.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, vlerësoi se Franca është një partner strategjik dhe i rëndësishëm evropian për Kosovën, ndërsa theksoi se marrëdhëniet politike duhet të shoqërohen me bashkëpunim konkret ekonomik dhe investime të qëndrueshme.
“Kosova ka nevojë për më shumë miq, por mbi të gjitha për partneritete konkrete. Investimet franceze në Kosovë do të ishin një sinjal i fuqishëm i besimit në ekonominë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ne duhet të krijojmë ura të reja mes bizneseve kosovare dhe atyre franceze”, ka thënë Shahini, duke shtuar se AKB-ja do të vazhdojë angazhimin për ndërkombëtarizimin e bizneseve kosovare, tërheqjen e investimeve të huaja dhe promovimin e Kosovës si destinacion për investime dhe partneritete në Ballkanin Perëndimor dhe EU-së.



