BQK-ja dhe CEF-i organizojnë në Prishtinë konferencën rajonale për rregullimin dhe mbikëqyrjen bankare, me fokus në inovacionin financiar

22 tetor 2026 | 14:16

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Qendrën për Ekselencë në Financa (CEF), organizoi në Prishtinë Konferencën Rajonale për Rregullimin dhe Mbikëqyrjen Bankare, me mbështetjen e Bankës së Sllovenisë (Banka Slovenije) dhe Bankës Qendrore të Letonisë (Latvijas Banka).

Konferenca dyditore mblodhi përfaqësues të bankave qendrore, autoriteteve rregullative dhe mbikëqyrëse, ekspertë ndërkombëtarë dhe profesionistë të sektorit financiar për të diskutuar zhvillimet dhe sfidat në rregullimin dhe mbikëqyrjen financiare, me fokus të veçantë në menaxhimin e rreziqeve kibernetike, qëndrueshmërinë operacionale digjitale (DORA) dhe zbatimin e Rregullores Evropiane për Tregjet e Kripto-aseteve (MiCA).

Në hapje të konferencës, fjalë përshëndetëse mbajtën Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe Ambasadori i Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, në prani të përfaqësuesve të CEF-it dhe bankave qendrore partnere.

Guvernatori Ismaili, duke vlerësuar lart bashkëpunimin rajonal dhe organizimin e kësaj ngjarjeje për herë të parë jashtë Lubjanës, në Prishtinë, theksoi se stabiliteti financiar mbetet themeli i zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar, ndërsa inovacioni dhe transformimi digjital krijojnë mundësi të reja për efikasitet, konkurrencë dhe përfshirje financiare.

Në këtë drejtim, ai nënvizoi rëndësinë e një kornize rregullative proporcionale dhe të bazuar në rrezik, e cila mundëson inovacionin dhe zhvillimin e tregut pa krijuar barriera të panevojshme, duke garantuar njëkohësisht mbikëqyrje efektive, qëndrueshmëri operacionale dhe mbrojtje të konsumatorëve.

Gjatë fjalës së tij hyrëse, Guvernatori Ismaili i kushtoi vëmendje të veçantë sfidave praktike të zbatimit të rregullativës, përfshirë licencimin, qeverisjen, transparencën dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve komplekse, si dhe menaxhimin e rreziqeve kibernetike, sigurinë e sistemeve të informacionit, përgjegjësinë e organeve drejtuese dhe qëndrueshmërinë operacionale të institucioneve financiare, në përputhje me zhvillimet evropiane dhe kërkesat e DORA-s.

Këto zhvillime ndërlidhen me prioritetet strategjike të BQK-së për forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, përfshirë avancimin e Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), të kornizës makroprudenciale dhe të kapaciteteve për monitorimin e rreziqeve sistemike.

Paralelisht, BQK-ja po avancon kornizën rregullative për kriptoasetet dhe sigurinë kibernetike, si dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave, përfshirë përgatitjet për anëtarësim në SEPA dhe zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone.

Në këtë kontekst, Guvernatori vlerësoi edhe miratimin e fundit të ndryshimeve në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit si një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së parakushteve që, së bashku me miratimin e rregullativës që del nga ky ligj dhe përmbylljen e procedurave përkatëse, hapin rrugën për dërgimin e aplikimit të Kosovës në SEPA dhe avancimin e integrimit financiar evropian.

Nga ana e tij, në fjalën përshëndetëse, ambasadori Blaj vlerësoi punën dhe rolin e BQK-së në avancimin e reformave të sektorit financiar, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe angazhimin për përafrimin me standardet evropiane.

Ai theksoi rëndësinë e partneritetit institucional dhe shkëmbimit të përvojave në kuadër të mekanizmave rajonalë për zhvillimin e kapaciteteve dhe avancimin e praktikave mbikëqyrëse.

Organizimi i kësaj konference në Kosovë dëshmon forcimin e bashkëpunimit të BQK-së me CEF-in, Bankën e Sllovenisë dhe Bankën Qendrore të Letonisë, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e zgjidhjeve praktike për sfidat e përbashkëta të mbikëqyrjes financiare.

BQK-ja mbetet e përkushtuar ndaj nismave të përbashkëta që synojnë ruajtjen e stabilitetit financiar, nxitjen e inovacionit dhe ndërtimin e një mjedisi rregullativ që mbështet zhvillimin e sektorit financiar, forcon besimin e publikut dhe avancon integrimin me tregun financiar evropian.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja Arijeta Rexhepi është zgjedhur kryesuese e Grupit të Grave…