Dita e Gruas Rurale, Muja: Vetëm 5 për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave
Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është organizuar panairi me rastiin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale, i organizuar nga EcoKosWomen dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës.
Në këtë aktivitet u vu në pah roli dhe kontributi i grave rurale në bujqësi, blegtori, prodhimin dhe përpunimin e produkteve ushqimore, si dhe në zhvillimin e bizneseve familjare.
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, tha se puna e grave rurale është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, por shpesh nuk vlerësohet sa duhet.
“Gratë rurale kanë një rol të pazëvendësueshëm, jo vetëm në sektorin e prodhimit të qumështit dhe blegtorisë, por edhe në bujqësi, në përpunimin e produkteve ushqimore, në bizneset familjare dhe në shumë veprimtari të tjera që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik. E dimë se puna e tyre shpesh është e vështirë dhe nuk vlerësohet gjithmonë sa duhet. Prandaj, si Shoqatë e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, jemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen për gratë rurale, duke promovuar punën e tyre dhe duke krijuar mundësi për fuqizimin dhe zhvillimin e tyre ekonomik”, ka deklaruar Bajraktari.
Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Armend Muja, tha se 15 për qind e përfituesve në skemat e Ministrisë janë gra, ndërsa si një nga barrierat kryesore përmendi çështjen e pronës.
“Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, 15 për qind e përfituesve në skemat tona janë gra. Por një nga problemet që ky komunitet ballafaqohet është prona. Siç e dimë, vetëm rreth 5 për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave. Kjo është barriera e parë strukturore, të cilën dëshirojmë ta tejkalojmë, dhe nga viti tjetër ministria e Bujqësisë do te ndërmarr masa afirmative qe e vlerësojnë ketë si sfidën numër një”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, theksoi se gratë fermere janë shtyllë e rëndësishme e bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik.



