Ministri Hoti: Përgatitja profesionale e të rinjve është çelësi për punësim të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik

20 tetor 2026 | 13:50

Ministri për Punën, Familjen dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti, mori pjesë në aktivitetin “Roots & Flavors: Chef’s Day 2026”, të organizuar në kuadër të fushatës “Serve Your Future” dhe projektit HoReCa Kosovo të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), me rastin e Ditës së Kuzhinierit, në “Lura Agroturizëm”.

Në këtë aktivitet, së bashku me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, Koordinatorin e ILO-s për Kosovë, Blerim Murtezaj, si dhe përfaqësues të institucioneve, profesionistë të gastronomisë dhe të rinj, diskutuan rëndësinë e aftësimit profesional për zhvillimin e sektorit të gastronomisë dhe mikpritjes.

Ministri Hoti ka theksuar se përgatitja profesionale e të rinjve, në përputhje me nevojat reale të tregut të punës, është çelësi për punësim të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik në vendin tonë.

“Për vitin 2027, kemi planifikuar zhvillimin e pesë kurrikulave profesionale afatshkurtra për profilet e kuzhinierit, ndihmës kuzhinierit, kamarierit, banakierit dhe recepsionistit. Gjithashtu, kemi paraparë trajnimin e së paku 10 trajnerëve të Qendrave të Aftësimit Profesional, si dhe pilotimin e mësimit në vendin e punës në katër institucione të arsimit dhe aftësimit profesional, përfshirë një Qendër të Aftësimit Profesional. Përmes këtyre masave synojmë të fuqizojmë Qendrat e Aftësimit Profesional dhe t’u mundësojmë të rinjve të fitojnë shkathtësitë dhe përvojën praktike që kërkojnë bizneset, duke krijuar një lidhje më të fortë ndërmjet aftësimit profesional dhe punësimit. Falënderoj Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), Ambasadën e Italisë në Kosovë dhe të gjithë partnerët tanë për mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e politikave tona të punësimit dhe aftësimit profesional. Investimi në shkathtësitë e të rinjve është investim në të ardhmen ekonomike të Kosovës”, ka thënë ministri Hoti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti…