OVL-UÇK-ja nuk mund të udhëhiqet me improvizime politike!
Shkruan Behram Behluli
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së paska paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve dhe protesta nëse vazhdon të zvarritet procesi i plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Por shtrohet pyetja: Çfarë përshkallëzimi, me çfarë strategjie dhe në emër të kujt?
Si veteran i UÇK-së, i shoh me keqardhje këto paralajmërime, kur nuk shoqërohen me një plan të qartë, koordinim institucional dhe objektiva konkrete. Protesta nuk mund të jetë përgjigjja e vetme sa herë që proceset politike nuk ecin sipas pritjeve të dikujt. Veteranët nuk janë mjet presioni për interesa politike ditore dhe as rezervë mobilizimi sa herë që udhëheqjes i mungon një strategji e qartë! Ne e kemi kryer detyrën tonë me nder, sakrificë dhe përgjegjësi ndaj atdheut. Tash, përgjegjësia u takon institucioneve, të cilat duhet të veprojnë brenda kompetencave të tyre dhe në përputhje me ligjin.
OVL-UÇK-ja duhet të kërkojë zgjidhje konkrete, të ndërtojë koordinim dhe të tregojë rezultate, jo vetëm të paralajmërojë përshkallëzim. Përfaqësimi i veteranëve kërkon pjekuri, llogaridhënie dhe vizion, sepse emri i UÇK-së nuk duhet të përdoret për kalkulime politike, por të mbrohet me përgjegjësi dhe dinjitet. Kritika ndaj udhëheqjes nuk është kritikë ndaj UÇK-së. Përkundrazi, është kërkesë që vlerat e luftës sonë të mos cenohen nga veprime pa drejtim dhe pa rezultate. Veteranët meritojnë respekt, jo instrumentalizim. Meritojnë përfaqësim me vizion, jo mobilizim pa strategji.
JO NË EMRIN TIM!



