30 vezë deri në 4 euro, qytetarët kërkojnë uljen e çmimeve të produkteve bazë
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve ushqimore po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetin e familjeve në Kosovë.
Së fundmi, shtrenjtimi ka prekur edhe vezët, ku një paketim me 30 copë kushton nga 3.70 deri në 4 euro, krahasuar me 3.50 euro sa kushtonte para dy muajsh.
Derisa disa qytetarë e konsiderojnë çmimin të arsyeshëm, duke marrë parasysh vlerën ushqyese të këtij produkti, të tjerë shprehen të shqetësuar përballë pagave të ulëta dhe kostos së lartë të jetesës, duke kërkuar uljen e çmimeve.
Qytetari Ragip Rugova ka vlerësuar se çmimi i vezëve nuk është i lartë, duke marrë parasysh vlerën e tyre ushqyese dhe mundësinë për të përgatitur një shujtë me pak shpenzime.
“Te vezët, për shembull, konkretisht e shikon 4 euro, një tabëll me 30 copa, i bie rreth 13 centë një vezë, mos jam gabim. Te ne, përgjithësisht, dy vezë janë sikur një sasi që e kënaq një porcion, pak dorën në zemër. Por, për standardet tona, për kushtet tona, edhe katër po të jenë, domethënë bëhet fjalë diku rreth 50 centë. Ju me 50 centë e bëni një shujtë të mirë, të bollshme, se vezët janë të fuqishme si produkt ushqimor. Kështu që unë nuk mendoj që janë të shtrenjta. Për ata që nuk kanë, çdo gjë është e shtrenjtë dhe është e tepërt të flitet për këtë”, ka thënë Rugova.
Ai ka theksuar se shumica e produkteve ushqimore që konsumohen në Kosovë vijnë nga importi, duke shtuar se për të pasur çmime më të ulëta duhet të stimulohet prodhimi vendor.
“Sepse shumica e artikujve që i konsumojmë, ushqimet, domethënë, kanë prejardhje nga importi, apo jo? Ne që dëshirojmë t’i shohim më të lira, hajde ta ekonomizojmë, ta stimulojmë prodhimin vendor. Por edhe atëherë nuk do të kemi kush e di sa më të lira, sepse komponenti i kalkulimit të produktit është kryesisht energjia, e cila është komponent importi, dhe kjo nuk do të ndikojë aq shumë”, ka thënë Rugova për “Ekonomia Online”.
Ndërkaq, qytetari tjetër, Shemsi Berisha, i cili sapo kishte blerë vezë fshati për 5 euro e 25 centë, ka thënë se i blen ato rrallë, duke theksuar se ky çmim mund të jetë i papërballueshëm për qytetarët me mundësi më të kufizuara ekonomike.
“20 vezë kushtojnë 5 euro e 25 centë. Për mua nuk përbën problem, sepse blej rrallë, por për qytetarët është e kushtueshme”, ka thënë Berisha.
Kurse, qytetarja Arife Ramadani i ka cilësuar çmimet si shumë të larta, veçanërisht në Prishtinë.
Ajo ka theksuar se çmimet duhet të ulen, pasi pagat nuk janë të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e qytetarëve.
“Nuk është mirë të rriten çmimet, sepse pagat nuk janë të mjaftueshme. Përkundrazi, duhet të ulen çmimet, pasi në Prishtinë gjithçka është shtrenjtë. Këtu nuk është Evropë, prandaj çmimet duhet të jenë më të lira”, ka thënë Ramadani.
Sipas saj, rritja e çmimeve nuk është e arsyeshme, sidomos kur pagat nuk po rriten në të njëjtën masë.
“Nuk është e arsyeshme. Askush nuk ka qejf të rriten çmimet, ndërsa pagat nuk po rriten askund”, ka shtuar ajo.



