“Jam kundër kthimit të gjyqtarëve serbë dhe autonomisë së Kurtit”, Behrami demanton pretendimet e Bajqinovcit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj një postimi të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, duke e akuzuar atë se ka shtrembëruar atë që është diskutuar në emisionin Interaktiv në KTV.
Bajqinovci kishte shkruar se PDK-ja nuk kishte mbajtur asnjë qëndrim për kthimin e gjyqtarëve serbë që kanë dhënë dorëheqje, duke pretenduar se Behrami ishte pyetur drejtpërdrejt nëse ata duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës, por nuk kishte dhënë përgjigje.
Megjithatë, Behrami e mohoi këtë pretendim, duke thënë se një pyetje e tillë nuk i ishte bërë fare gjatë emisionit.
“Pse bre Mef po rren? Pyetja ishte që mbledhja ka dështuar, çfarë po ndodh… Askund nuk më pyet nëse jam për apo kundër kthimit të tyre. Unë jam kundër kthimit të tyre”, shkroi Behrami në reagimin e tij.
Deputeti i PDK-së tha se qëndrimi i tij është i qartë dhe se kundërshton rikthimin e gjyqtarëve serbë, ndërsa akuzoi Bajqinovcin për keqinformim të opinionit publik.
Në fund të reagimit të tij, Behrami ritheksoi se është kundër kthimit të gjyqtarëve serbë në institucionet e Kosovës, ndërsa shtoi se mbështet rrëzimin e të gjitha objekteve të ndërtuara ilegalisht dhe ndëshkimin e, siç u shpreh ai, “hajnave”. Ai nuk kurseu kritikat as ndaj Qeverisë Kurti dhe Bashkimit Evropian, duke i akuzuar për avancimin e autonomisë së serbëve në veri.
Reagimin e përfundoi me fjalët: “Jam edhe për rrëzimin e krejt villave ilegale. Jam edhe për me i rrase në burg hajnat e juaj, nga Martini deri te Nagipi etj. Jam me dëbu edhe Dejonën nga Kosova për organizimin e sobave të propagandës dhe nxitje të urrejtjes. Jam edhe kundër lojës së BE-së që e bën bashkë me juve. Tash vazhdoni jetësimin e autonomisë të serbëve në veri që e ka pranu babai juaj ideologjik në Bruksel dhe Ohër.”



