Konflikti me Iranin është shndërruar në luftën e parë njëpartiake të Amerikës
Ndërsa presidenti Donald Trump kërkon dhjetëra miliarda dollarë për financimin e luftës me Iranin, demokratët në Kongres kanë dhënë një mesazh të qartë – dhe historikisht të pazakontë.
Jo.
Operacioni i Trumpit në Iran është shndërruar tashmë në luftën më partiake në historinë moderne të SHBA-së, duke shënuar herën e parë që njëra parti refuzon plotësisht kërkesat për financimin e luftës, të paraqitura nga komandanti i përgjithshëm i vendit.
Demokratët janë, për herë të parë në të paktën një shekull, plotësisht të bashkuar kundër një lufte që nga fillimi i saj. Ata po refuzojnë të mbështesin fonde shtesë, po votojnë masivisht për t’i kërkuar Trumpit të tërheqë trupat dhe, madje, në shenjë proteste, po refuzojnë edhe një paketë më të gjerë të politikave të Pentagonit, e cila përfshin dispozita kryesisht të palidhura me këtë luftë të veçantë, siç është një dispozitë që parashikon rritjen e pagave për ushtarët, shkruan CNN.
Ky paraqet një ndryshim të madh politik krahasuar me vitet e kaluara, kur demokratët druheshin nga akuzat se nuk po mbështesnin trupat amerikane gjatë një konflikti. Megjithatë, ligjvënësit e kësaj partie argumentojnë se opinioni publik amerikan, përfshirë edhe votuesit republikanë, është në anën e tyre dhe se mbështetja e republikanëve për luftën do të jetë një vijë e qartë ndarëse në prag të zgjedhjeve të nëntorit.
Udhëheqësit republikanë janë të zemëruar. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e ka cilësuar “të turpshëm” refuzimin e demokratëve për të financuar Pentagonin, veçanërisht në një kohë kur ka shqetësime për pakësimin e rezervave të municioneve dhe kur administrata ka kërkuar afro 70 miliardë dollarë shtesë si fonde emergjente për të ndihmuar në financimin e operacioneve ushtarake në Iran.
Kundërshtimi i demokratëve bazohet në disa arsye. Partia është tashmë, në përgjithësi, më skeptike ndaj përfshirjes në konflikte të huaja dhe shumë më pak mbështetëse ndaj Izraelit, partnerit kryesor të ShBA-së në çështjen e Iranit. Për më tepër, demokratët janë edhe më dyshues ndaj Trumpit, veçanërisht krahasuar me administratat e mëparshme republikane gjatë kohës së luftës, dhe janë të zemëruar me mënyrën se si ai ka menaxhuar pothuajse çdo aspekt të luftës me Iranin.



