Gjermania vë në shënjestër “flotën hije” ruse, akuzohet për shmangie të sanksioneve
Gjermania ka shtuar vëmendjen ndaj të ashtuquajturës “flota hije” ruse, një rrjet anijesh që përdoret për transportin e naftës dhe produkteve të tjera ruse duke shmangur kufizimet dhe sanksionet perëndimore.
Bëhet fjalë kryesisht për anije të vjetra, me pronësi dhe regjistrime shpesh të paqarta, të cilat lundrojnë në rrugët detare europiane. Përmes tyre, Rusia ka vijuar eksportin e naftës pavarësisht masave të vendosura pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Por shqetësimi gjerman nuk lidhet vetëm me shmangien e sanksioneve. Anijet e lidhura me këtë flotë janë përfshirë gjithnjë e më shumë në hetime dhe dyshime për spiunazh dhe sabotim, veçanërisht në zonën e Detit Baltik.
Autoritetet gjermane kanë rritur kontrollet ndaj anijeve të dyshuara, ndërsa shtetet europiane kanë ndërmarrë edhe ndalime dhe inspektime të mjeteve detare të lidhura me flotën hije. Në disa raste, kontrollet kanë nxjerrë në pah edhe shkelje të tjera të mundshme të sanksioneve.
Një tjetër problem lidhet me gjendjen teknike të shumë prej këtyre anijeve. Shumë prej tyre janë të vjetra dhe nuk plotësojnë standardet e zakonshme të sigurisë dhe sigurimit. Kjo shton rrezikun për aksidente dhe ndotje në rast të ndonjë avarie apo përplasjeje në det.
Sipas analizave të ekspertëve gjermanë, “flota hije” nuk është një flotë zyrtare e shtetit rus. Termi përdoret për një grup anijesh që shërbejnë për transportin e naftës dhe mallrave ruse jashtë kanaleve të zakonshme, duke e bërë më të vështirë zbatimin e sanksioneve.
Për Gjermaninë dhe vendet e tjera europiane, sfida tashmë është më e gjerë se kontrolli i eksporteve ruse. Bëhet fjalë edhe për sigurinë e rrugëve detare dhe mbrojtjen e kabllove nënujore dhe infrastrukturës kritike në Evropë.



