WSJ: Vance dhe Rubio e paralajmëruan Trumpin se lufta me Iranin mund të zgjaste me vite
Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Zëvendëspresidentin J.D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, e kanë paralajmëruar privatisht Presidentin Donald Trump se një konflikt me Iranin mund të zgjatet gjatë gjithë pjesës së mbetur të mandatit të tij presidencial, raportoi të mërkurën gazeta “Wall Street Journal” (WSJ).
Në biseda private në Zyrën Ovale dhe në Sallën e Situatave (Situation Room), këshilltarët i thanë Trumpit se Teherani mund të vazhdojë t’i rezistojë presionit amerikan, duke e zgjatur potencialisht konfliktin përtej inaugurimit të presidentit të ardhshëm amerikan në janar të vitit 2029, raportoi WSJ, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Ky paralajmërim bie në kundërshtim me deklaratat publike të Trumpit lidhur me luftën. Të mërkurën, Trump tha se lufta me Iranin do të përfundonte “menjëherë pas” zgjedhjeve të ndërmjetme amerikane në nëntor, duke argumentuar se, ndonëse Teherani po përpiqet të ndikojë te vota, ai nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë ballë presionit ekonomik amerikan edhe për shumë kohë.
“Mendoj se lufta do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse ata nuk mund të rezistojnë më gjatë. Ata po përpiqen dëshpërimisht të ndikojnë te zgjedhjet,” u tha ai gazetarëve para se të nisej për në Konventën Kombëtare Republikane në Dallas, raporton agjencia Hina.
Ai deklaroi se negociatat diplomatike mbeten një opsion i mundshëm, por “nuk është diçka që po e ndjekim”. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë Reuters për koment mbi raportin e WSJ-së.



