Konjufca: Nuk kam synime për postin e presidentit, duhet kompromis ndërmjet partive
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, është deklaruar rreth zgjedhjes së presidentit, duke thënë se nuk ka synime të veçanta për këtë post dhe se është e rëndësishme që partitë politike të arrijnë një kompromis, raporton Ekonomia Online.
Sipas Konjufcës, PDK-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin dhe konsideron se “presidenti duhet të jetë i PDK-së”, ndërsa LDK-ja, siç ka thënë ai, së fundmi ka pasur një qasje më bashkëpunuese.
Ai ka përshëndetur edhe qëndrimin e Aleancës, duke vlerësuar se çdo përpjekje për t’i shmangur zgjedhjet është për t’u mirëpritur.
“Nuk kam synime të veçanta. Ky proces nuk zgjidhet duke u dhënë përparësi synimeve tona individuale. Ky proces zgjidhet vetëm atëherë kur partitë politike ulen dhe e definojnë se çka kemi nevojë”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka thënë se deri tani janë zhvilluar një sërë takimesh mes kryeministrit Albin Kurti, Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut me presidenten Vjosa Osmani.
“Sa i përket Partisë Demokratike, duket që nuk ka pasur shumë hapësirë për diskutim, meqenëse ata ndodhen në pozicione të njëjta dhe mendojnë që presidenti duhet të jetë i PDK-së. Por Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë mendimin e saj se mund të ketë një bashkëpunim sa i përket zgjedhjes së një presidenti, i cili do të ishte reprezentativ për të gjithë, njëfarë emëruesi i përbashkët i këtyre dy partive politike”, është shprehur ai.
Konjufca ka përshëndetur edhe qëndrimin e Aleancës, duke vlerësuar se qasja e saj e fundit mund të kontribuojë në tejkalimin e krizës politike.
“E përshëndes edhe qëndrimin e Aleancës, sepse, krahasuar me dhjetorin e kaluar, kur refuzonin çfarëdo pjesëmarrjeje në seancë dhe mendonin se kuorumi vetëm duhet të bojkotohej, kësaj radhe po shprehin dhe po japin ide të cilat, ma merr mendja, i kontribuojnë kësaj krize në të cilën ndodhemi. Secili që jep ide jo në drejtim të asaj se si të shkojmë në zgjedhje, por si t’i evitojmë zgjedhjet, është i mirëseardhur në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka theksuar se Kosova është lodhur dhe dëmtuar nga proceset e shpeshta zgjedhore, duke vlerësuar se ato kanë ndikuar edhe në përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.
“Vërtet, tri palë zgjedhje i kishim prej shkurtit të vitit të kaluar dhe kjo Kosovën e ka lodhur dhe e ka dëmtuar në përfaqësimin e planit ndërkombëtar. Kudo që shkohet dhe dëshiron të zhvillosh projekte të caktuara me qeveritë e vendeve të tjera, ato natyrisht që ndodhin, siç ndodhi edhe me Francën, ku patëm një vizitë shumë të mirë, por ka edhe qeveri të cilat thonë se duhet të presim, duhet të ndodhë zgjedhja e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë së re”, ka thënë Konjufca para gazetarëve.



