Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së mbahet të enjten

27 korrik 2026 | 16:01

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka thirrur për të enjten, në orën 18:00, Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku pritet të testohet besimi brendapartiak ndaj tij.

LDK-ja ka lëshuar një komunikatë për medie, duke njoftuar opinionin publik dhe anëtarësinë se Abdixhiku, “në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit”. “Në funksion të garantimit të rregullsisë, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit, Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit. Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Në zbatim të detyrimeve statutare dhe pa asnjë vonesë pas përfundimit të procesit të verifikimit, kryetari i LDK-së ka vendosur që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, me fillim nga ora 18:00”, është thënë në komunikatën e LDK-së.

Vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet e tjera organizative do t’u komunikohen delegatëve, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Statuti, ka njoftuar LDK-ja.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se “mbetet e përkushtuar që i gjithë ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me Statutin e partisë, me parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve të Kuvendit”.

Në selinë qendrore të LDK-së paraprakisht janë pranuar dhe verifikuar nënshkrimet e rreth 150 delegatëve të LDK-së, të cilët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të partisë.

Për shkak të kësaj nisme, Abdixhiku i ka pezulluar bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja. Abdixhiku ka paralajmëruar se ky proces mund ta dëmtojë LDK-në “pariparueshëm nga brenda dhe ta lë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”, ndërsa kundërshtarët e tij brenda partisë kërkojnë përgjegjësi nga ai për rezultatin e dobët zgjedhor.

Kuvendi i LDK-së i ka 355 delegatë, përfshirë kryetarin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dijana Dobroshi nga Gjakova shpall te pavlefshme diplomën e sh.m.…