Nesër vazhdon gjykimi për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit

27 korrik 2026 | 23:10

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nesër do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të akuzuar për përfshirje në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

Dy të akuzuarit edhe në seancat e mëparshme janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u ngarkohen, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se provat e siguruara gjatë hetimeve mbështesin aktakuzën ndaj tyre.

Në seancën e fundit ka dëshmuar drejtori i Departamentit të Ujit dhe Gjenerimit në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, Ernest Kerqeli, i cili ka përshkruar veprimet e ndërmarra menjëherë pas shpërthimit.

Sipas tij, ekipet e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe punëtorët e ndërmarrjes kanë mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes, ndërsa ndërhyrja për sanimin e dëmeve ka nisur vetëm pasi hetuesit kanë përfunduar ekzaminimet dhe kanë dhënë miratimin.

Kerqeli ka deklaruar se nëse dëmtimi nuk do të sanohej me urgjencë, pasojat për furnizimin me energji, ujë dhe ngrohje do të ishin shumë të rënda, duke prekur qytetarët, institucionet shëndetësore dhe infrastrukturën energjetike të vendit.

Ai ka theksuar se dëmet ekonomike do të arrinin në miliona euro për çdo ditë vonesë në rikuperimin e kanalit.

Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë të propozuar nga palët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Memoriale e Republikës Srpska ka nisur në rrugët e…