Votohet pro projektit të Tulltores, Rama: Kjo është Prishtina që e meritojnë qytetarët

11 shtator 2026 | 14:31

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me dije se Asambleja e Kryeqytetit ka votuar pro projektit për krijimin e Qendrës për Art, Kulturë, Teknologji dhe Inovacion në Tulltore.

Rama e ka cilësuar votimin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e Prishtinës, duke thënë se projektet e prezantuara në Konferencën e Investitorëve Amerikanë kanë filluar të konkretizohen.

“Sot Asambleja e kryeqytetit votoi PRO Qendrës për Art, Kulturë, Teknologji dhe Inovacion në Tulltore! Projektet zhvillimore që prezantuam në Konferencën e Investitorëve Amerikanë kanë nisë me pa dritën”, ka shkruar Rama.

Ai ka falënderuar Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë për mbështetjen e konferencës, si dhe KUSA-n për ekspertizën profesionale financiare dhe ligjore.

Sipas Ramës, projekti pritet të sjellë vende të reja pune dhe zhvillim për kryeqytetin, ndërsa ka theksuar se ai është vlerësuar edhe me çmimin e parë në Evropë për arkitekturë të qëndrueshme dhe mjedisore.

“Ky është niveli që e meriton Kryeqyteti”, ka shkruar Rama në “Facebook”.

Ai ka shtuar se nga zhvillimi i kësaj hapësire do të përfitojnë edhe banorët e Kodrës së Trimave, Arbërisë dhe Tophanes.

Rama ka thënë se zona e Tulltores deri tani ka qenë një hapësirë e degraduar, ndërsa me realizimin e projektit synohet transformimi i saj.

Kryetari i Prishtinës ka falënderuar asamblistët për votën, ndërsa ka veçuar edhe qëndrimin e Vetëvendosjes.

“Natyrisht VETËVENDOSJE nuk e votoi!”, ka shkruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pas zhvillimeve të…