Sot shënohet Dita Botërore e Hepatitit
Sot, më 28 korrik, shënohet Dita Botërore e Hepatitit, një ditë e dedikuar rritjes së ndërgjegjësimit për hepatitin viral dhe rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit në kohë.
Hepatiti është një inflamacion i mëlçisë që mund të shkaktohet nga viruset e hepatitit A, B, C, D dhe E. Format B dhe C janë ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve kronike të mëlçisë, cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, por në shumë raste mund të parandalohen ose trajtohen me sukses.
Ekspertët e shëndetësisë u bëjnë thirrje qytetarëve të kryejnë testime, të vaksinohen kundër hepatitit B sipas rekomandimeve dhe të informohen mbi mënyrat e transmetimit dhe mbrojtjes. Zbulimi i hershëm dhe trajtimi në kohë përmirësojnë ndjeshëm rezultatet shëndetësore dhe ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Me rastin e Ditës Botërore të Hepatitit, institucionet shëndetësore rikujtojnë se ndërgjegjësimi, edukimi dhe qasja në shërbime cilësore shëndetësore janë thelbësore për arritjen e objektivit të eliminimit të hepatitit viral si kërcënim për shëndetin publik.
Çdo vit në 28 korrik, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) organizon Ditën Botërore të Hepatitit për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për hepatitin dhe pasojat që ai shkakton.
28 korrik është zgjedhur si Dita Botërore e Hepatitit në nder të ditëlindjes së profesor Baruch Blumberg Samuel, zbuluesit të virusit të hepatitit B dhe vaksinës së parë të hepatitit B.



