Marshi për Liri: Ftesa u është dërguar të gjithë krerëve institucionalë e partiakë

11 shtator 2026 | 23:12

Platforma “Liria ka Emër” ka ftuar të gjithë krerët institucionalë dhe partiakë që t’i bashkohen marshit të madh për liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në përkrahje të çlirimtarëve të Kosovës, në prag të shpalljes së vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale.

Këtë e ka konfirmuar në emisionin Rubikon, Eliza Hoxha, organizatore e platformës, por tha se deri tash nuk kanë marrë konfirmime nga të gjithë për pjesëmarrje.

“ Ne i kemi ftuar të gjithë sikur në çdo marsh. Ftesa ka qenë publike, por u ka shkuar edhe të gjitha institucioneve dhe krerëve institucionalë e partiakë, të gjithëve me email, me mundësinë që të vijnë në marsh dhe mund të adresohen nëse dëshirojnë”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka bërë të ditur se Bedri Hamza dhe Ardian Gjini e kanë konfirmuar pjesëmarrjen si folës në marsh. Po ashtu, sipas saj, do të adresohen edhe vajza e dëshmorit Bajram Selmani, vajza e Salih Mustafës-Calit, Buna dhe Hysni Gucati nga organizatat e dala nga lufta.

Hoxha ka njoftuar se në kuadër të aktivitetit do të ketë edhe pika muzikore, me këngë lirike nga Arif Vladi, Shkurte Fejza dhe Arbnora, e cila është pjesë e platformës “Liria ka Emër”.

Ajo ka theksuar se gjithë përfshirja mbetet një nga parimet kryesore të organizimit, duke thënë se ftesa u është dërguar të gjithë përfaqësuesve politikë me qëllim që në marsh të përfaqësohen kategori të ndryshme shoqërore.

“Koncepti i gjithë përfshirjes është i rëndësishëm. Kemi qenë të hapur dhe gjithmonë u kemi dërguar të gjithëve ftesë. Ideja është që altoparlanti të rritet e të përfaqësohemi aty të gjithë në marsh me kategoritë e ndryshme shoqërore”, ka deklaruar Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë…