Haxhiu për gërmimet në Kalludër të Zubin Potokut: Zhvillim i rëndësishëm për ndriçimin e fatit të të zhdukurve
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas konfirmimit të gjetjes së një varri masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut.
Haxhiu e ka cilësuar këtë zhvillim si të rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Ajo ka përshëndetur punën e institucioneve të përfshira në këtë proces dhe ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për veprimet e mëtejshme.
“Kam mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër, në Zubin Potok. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ajo ka vlerësuar angazhimin e ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë, si dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe sigurisë që po merren me rastin.
Haxhiu ka thënë se procesi do të ketë përkrahjen e saj të plotë, nga vlerësimi i lokacionit dhe zhvarrimi, deri te ekzaminimet mjeko-ligjore dhe identifikimi i viktimave.
Sipas saj, qëllimi i këtij procesi është që familjeve t’u jepet përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre, të cilët rezultojnë të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë.



