Chelsea dënohet nga Federata angleze, gjobë 10-milionëshe dhe merkato e bllokuar
Chelsea është gjobitur me 10 milionë funte nga Federata Angleze e Futbollit (FA) për shkelje të rregullave që lidhen me agjentët, të kryera përgjatë një periudhe prej 13 vitesh.
FA e ka akuzuar Chelsean për 74 shkelje të Rregullit E1.2, pas vetëraportimeve të bëra nga pronarët aktualë të klubit.
Përveç gjobës financiare, “Blutë” janë dënuar edhe me ndalim të regjistrimit të lojtarëve për dy afate të plota dhe të njëpasnjëshme kalimtare.
Megjithatë, ky dënim është pezulluar deri në qershor të vitit 2027, me kusht që Chelsea të mos shpallet fajtor për shkelje të tjera gjatë kësaj periudhe.
Në një deklaratë, FA ka konfirmuar se fillimisht kishte vendosur edhe një dënim me zbritje prej gjashtë pikësh, i cili gjithashtu ishte pezulluar për të njëjtën periudhë.
Megjithatë, ky vendim është ndryshuar pas një ankese nga klubi. Sanksioni fillestar ishte marrë në muajin mars.
“Gjoba prej 10 milionë funtesh e vendosur nga Komisioni Rregullator nuk ishte objekt ankese dhe e gjithë shuma do të investohet në futbollin bazë”, thuhet më tej në deklaratë.
Akuzat lidhen me periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2022, kur pronar i Chelseat ishte Roman Abramovich.
Pronarët aktualë të klubit, BlueCo, menjëherë pas marrjes së kontrollit, i raportuan FA-së atë që e përshkruan si “raportim potencialisht të paplotë financiar lidhur me transaksionet historike dhe shkelje të tjera të mundshme të rregullave të FA-së”.
Në korrik të vitit 2023, Chelsea u gjobit me 8.57 milionë euro nga UEFA për shkelje të rregullave financiare, të lidhura me periudhën 2012–2019.
Edhe Premierliga hapi një hetim ndaj klubit, ku në qendër të vëmendjes u vendosën transferimet e Willian dhe Samuel Eto’o nga klubi rus Anzhi Makhachkala në vitin 2013.
Si pasojë, Chelsea u urdhërua të paguante një tarifë të papaguar transferimi prej 771,288 funtesh në lidhje me këto dy transferime, si dhe u ndëshkua me një ndalim nëntëmujor për të transferuar lojtarë në akademinë e klubit.
Dënimi më i rëndë ndaj Chelseat u dha në vitin 2019, kur klubi u shpall fajtor për transferimin e paligjshëm të futbollistëve nën moshën 18-vjeçare.
Për këtë arsye, Chelsea u ndalua të regjistronte lojtarë të rinj për dy afate kalimtare gjatë sezonit 2019/20.
Transferimi i vetëm i klubit në atë periudhë ishte blerja përfundimtare e Mateo Kovačić nga Real Madridi, pasi mesfushori kroat ishte në huazim në “Stamford Bridge” në momentin kur u shpall dënimi.



