Merr fund historia 114-vjeçare e Brescias, klubit ku luajtën Baggio, Pirlo dhe Guardiola
Brescia Calcio e ka mbyllur zyrtarisht një histori 114-vjeçare, pasi Gjykata e Brescias ka shpallur falimentimin e klubit historik italian, duke i dhënë fund një prej kapitujve më të dhimbshëm në historinë sportive të qytetit.
Klubi, i drejtuar vitet e fundit nga Massimo Cellino, është përballur me krizë të thellë financiare dhe menaxheriale, e cila kulmoi me përjashtimin nga futbolli profesionist dhe nisjen e procedurave të likuidimit gjyqësor.
Brescia kishte detyrime prej rreth 20 milionë eurosh, ndërsa mosplotësimi i kërkesave federative dhe tatimore e la klubin pa mundësi për të vijuar garat profesionale.
Një tjetër goditje financiare ishte humbja e të ardhurave nga shitja e Sandro Tonalit te Tottenham, në vlerë prej rreth 4 milionë eurosh, të cilat pritet të përfundojnë në një fond të FIFA-s. As rreth 6 milionë eurot e përfituara me bonuse nga transferimet e Tonalit te Milani dhe më pas te Newcastle nuk mjaftuan për ta shpëtuar klubin nga kriza. Falimentimi i Brescias shënon fundin e një historie të gjatë për një klub që, ndonëse nuk ka qenë pjesë e gjigantëve të futbollit italian, ka pasur rol të rëndësishëm në Serie A dhe ka qenë shtëpi e disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
Në fanellën e Brescias kanë luajtur legjenda si Roberto Baggio, i cili ka kaluar një periudhë të paharrueshme në klub në fillim të viteve 2000, ndërsa Andrea Pirlo hodhi hapat e parë në nivelet e larta pikërisht me skuadrën italiane, përpara se të ndërtonte një karrierë të jashtëzakonshme me Milanin, Juventusin dhe kombëtaren e Italisë.
Mes emrave të tjerë të njohur që kanë veshur fanellën e Brescias janë Pep Guardiola, Gheorghe Hagi dhe Luca Toni. Në javët e fundit, Cellino ka bërë një përpjekje të fundit për ta ruajtur ekzistencën sportive të klubit, duke synuar regjistrimin e një skuadre të të rinjve në kampionatet federale, por projekti nuk arriti të përmbushte kushtet e nevojshme.
Megjithatë, ish-presidenti i klubit nuk e ka pranuar vendimin dhe ka paralajmëruar apelimin e tij. Ndërkohë, qyteti i Brescias do të vazhdojë të përfaqësohet në futboll nga Union Brescia, klub i themeluar në vitin 2025 nga një grup sipërmarrësish, që aktualisht garon në Serie C.



