AKK kundërshton Projektligjin për Pronën Publike: Kryetarët e komunave unanimisht kundër centralizimit

03 gusht 2026 | 17:39

Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës diskutoi sot Projektligjin për Pronën Publike, i cili parasheh që komunat të mos jenë më pronare të pronës komunale, por vetëm shfrytëzuese apo administruese të saj.

Të gjithë kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të pranishëm në takim i mbështetën unanimisht kërkesat e AKK-së dhe kundërshtuan çdo përpjekje për t’ua marrë komunave pronësinë dhe për ta përqendruar atë në nivelin qendror.

Ata theksuan se kjo qasje cenon autonominë lokale, bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe e godet drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik të komunave.

“Mesazhi është i prerë: prona komunale u takon komunave dhe nuk mund të tjetërsohet përmes një Projektligji centralizues! Kërkesat e miratuara unanimisht nga kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të pranishëm në takim, përmes AKK-së, do t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë”, u tha në takim.

Kërkesat kryesore të AKK-së:

• Komunat të njihen shprehimisht si pronare të pronës komunale;

• Të hiqet përcaktimi se Republika e Kosovës është pronare e vetme e tërë pronës publike;

• Kuvendet komunale ta ruajnë të drejtën e vendimmarrjes për bartjen, këmbimin dhe dhënien me qira të pronës komunale;

• Prona e blerë, ndërtuar ose krijuar me mjete komunale të regjistrohet në emër të komunës;

• Regjistri unik qendror të ketë vetëm karakter koordinues dhe të mos e zëvendësojë regjistrin komunal;

• Projektligji të mos i kufizojë kompetencat vetanake të komunave për zhvillimin ekonomik lokal, planifikimin dhe shfrytëzimin e tokës;

• Mbikëqyrja qendrore mbi vendimet për pronën komunale të kufizohet vetëm në kontrollin e ligjshmërisë;

• Të hyrat nga prona komunale t’u takojnë komunave;

• Të shfrytëzohen të gjitha mjetet ligjore për ta parandaluar
centralizimin e kësaj kompetence, e cila u është garantuar komunave me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

AKK kërkon rishikimin rrënjësor të Projektligjit dhe përfshirjen e plotë të kërkesave të komunave.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur zyrtarisht ftesës së…