Kushtetuesja i bën bashkë lëndët e PDK-së për Kuvendin e Qeverinë, deputetët edhe sot kanë afat për komente

18 shtator 2026 | 11:28

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur t’i bashkojë për shqyrtim dy kërkesat e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, të regjistruara me numrat KO256/26 dhe KO258/26, që kanë të bëjnë me Kuvendin dhe Qeverinë.

Kjo pasi, para disa ditësh, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë Kurti 4.

Sipas njoftimit të Gjykatës, dokumentin e së cilës e ka siguruar Gazeta Express, kërkesa KO256/26 lidhet me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të 9 shtatorit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, vendimit procedural të 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimit të 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit.

Ndërkohë, deputetëve u është dhënë edhe sot afat për të paraqitur komentet e tyre.

Kërkesa KO258/26 ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të 13 shtatorit për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se më 15 shtator ka vendosur që kërkesa KO258/26 t’i bashkohet kërkesës KO256/26 dhe që të dyja të shqyrtohen në një procedurë të përbashkët.

Në kuadër të procedurës, Gjykata ka kërkuar që kopjet e kërkesave t’u shpërndahen të gjithë deputetëve të Kuvendit, të cilët kanë mundësi të paraqesin komente me shkrim deri më 18 shtator 2026.

Po ashtu, deri në të njëjtën datë, deputetëve u është kërkuar të dorëzojnë edhe dokumentet relevante që lidhen me objektin e këtyre çështjeve.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese u është përcjellë deputetëve më 15 shtator nga Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duket se aventura e Arbër Hoxhës në Kroaci te skuadra…