Këndvështrim mbi librin “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar…”

03 gusht 2026 | 08:44

Fatmir Lekaj, politolog

Libri “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” i Dr. Xhevat Hasanit ndërhyn në një nga debatet më të ndjeshme të mendimit politik shqiptar pas çlirimit të Kosovës: marrëdhënien ndërmjet shtetit të Kosovës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Në qendër të veprës qëndron kundërshtimi i tezës se krijimi i shtetit të Kosovës ka sjellë, ose duhet të sjellë, formimin e një “kombi kosovar” të veçantë nga kombi shqiptar. Autori polemizon kryesisht me qëndrimet e disa autorëve të cilët, sipas tij, kanë kontribuar në promovimin e konceptit të “kombit kosovar”. Megjithatë, libri nuk mbetet vetëm në nivelin e polemikës, por përfaqëson një përpjekje serioze për të ndërtuar një interpretim teorik dhe historik mbi marrëdhënien ndërmjet kombit, shtetit, historisë dhe identitetit shqiptar në Kosovë.

Teza qendrore e librit shprehet qartë: shqiptarët e Kosovës janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe krijimi i Republikës së Kosovës nuk ka krijuar një komb të ri. Autori e konsideron konceptin e “kombit kosovar” jo vetëm historikisht të pabazuar, por edhe potencialisht të dëmshëm për kohezionin e kombit shqiptar. Sipas tij, pranimi i këtij koncepti mund të çojë në fragmentimin e mëtejshëm të identitetit kombëtar shqiptar në Ballkan.

Një nga përshtypjet e para që krijon lexuesi është përmasa e jashtëzakonshme e punës së autorit. Me mbi pesëqind faqe, libri është ndër trajtimet më të gjera të botuara deri më sot në gjuhën shqipe mbi këtë çështje. Vetë fakti që autori i kushton një monografi të tërë një debati që zakonisht është zhvilluar në artikuj gazetash ose emisione televizive dëshmon seriozitetin me të cilin ai e trajton këtë temë. Autori nuk kufizohet vetëm në reagime polemike apo emocionale. Përkundrazi, ai përpiqet ta ndërtojë argumentimin mbi disa shtylla themelore: historinë e formimit të kombit shqiptar, teoritë klasike mbi kombin, dokumentet ndërkombëtare, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Planin e Martti Ahtisaarit dhe analizën e deklaratave publike të autorëve me të cilët polemizon.

Në parathënie, autori shpjegon se mbështetet në argumente etnike, historike, demografike, gjeopolitike, teorike, gjuhësore, psikologjike dhe kulturore për të mbrojtur tezën e tij. Kjo qasje ndërdisiplinore përbën një nga pikat më të forta të veprës. Edhe kur lexuesi mund të mos pajtohet me ndonjë prej përfundimeve të autorit, nuk mund të mohohet se ai përpiqet të ndërtojë një argumentim të sistemuar dhe të mbështetur në një gamë të gjerë burimesh.

Një meritë tjetër e rëndësishme është organizimi i materialit. Libri është ndarë në trembëdhjetë pjesë dhe pesëdhjetë e nëntë kapituj, një strukturë që i mundëson lexuesit të ndjekë hap pas hapi zhvillimin e argumentimit. Vetë autori shpjegon se kjo ndarje është bërë sipas temave dhe nëntemave, me synimin që analiza të jetë sa më e qartë dhe sistematike.

Me fjalë të tjera, kontributi më i rëndësishëm i kësaj vepre qëndron në faktin se autori e ka trajtuar me seriozitet një debat që për një kohë të gjatë është zhvilluar kryesisht në media, emisione televizive dhe polemika të shpërndara. Duke i kushtuar një monografi të plotë kësaj çështjeje, ai e ngre diskutimin në një nivel më të sistemuar dhe krijon një bazë të vlefshme për studime të mëtejshme. Njëherësh, libri ka rëndësi edhe për lexuesit që nuk pajtohen me të gjitha përfundimet e tij. Në fund të fundit, një vepër shkencore ose polemike nuk vlerësohet vetëm nga aftësia për të bindur çdo lexues, por edhe nga pyetjet që shtron, reflektimi që nxit dhe debati që hap. Në këtë kuptim, libri e përmbush këtë funksion: ai e nxit lexuesin të reflektojë mbi kuptimin e kombit dhe marrëdhënien komplekse ndërmjet kombit dhe shtetit.

Vepra përbën njëkohësisht edhe një burim të rëndësishëm dokumentues. Për studiuesit e nacionalizmit, materiali i mbledhur dhe i sistemuar nga autori do të ketë vlerë të veçantë edhe në të ardhmen. Natyrisht, si çdo vepër që trajton çështje të ndjeshme identitare, edhe kjo monografi mund të kishte përfituar nga një dialog më i zgjeruar me disa prej argumenteve alternative. Megjithatë, kjo nuk e zbeh vlerën e saj si një studim i gjerë dhe i argumentuar mbi një temë me rëndësi të veçantë për mendimin politik shqiptar.

Njëkohësisht, përkundër meritave të shumta të kësaj vepre, mund të vërehet një kufizim kryesor. Karakteri i saj polemik lë më pak hapësirë për një dialog më të zgjeruar me teoritë bashkëkohore të nacionalizmit dhe me literaturën mbi marrëdhënien ndërmjet shtetit, kombit dhe identiteteve në shoqëritë pluraliste. Megjithëse autori u referohet edhe disa teoricienëve të rëndësishëm të nacionalizmit, veçanërisht Ernest Gellner-it dhe Eric Hobsbawm-it, analiza do të përfitonte nga një aplikim më sistematik i koncepteve të tyre teorike në rastin konkret të Kosovës. Njëherësh, një ballafaqim më i zgjeruar dhe konkret me qasjet etno-simboliste, moderniste dhe multikulturaliste, duke përfshirë edhe kontributet e Anthony D. Smith-it, Benedict Anderson-it dhe Will Kymlicka-s, do ta vendoste edhe më qartë tezën qendrore të autorit brenda debatit bashkëkohor mbi nacionalizmin, shtetësinë dhe identitetet në shoqëritë pluraliste.

Zgjerimi teorik i argumentit qendror të librit

Pikërisht për të ilustruar se si argumenti qendror i librit mund të zhvillohet më tej përmes një aplikimi më konkret të teorive bashkëkohore të nacionalizmit në rastin e Kosovës, në vijim ai vendoset në një kornizë më të gjerë teorike, duke u mbështetur në qasjet etno-simboliste, moderniste dhe multikulturaliste.  Këto vëzhgime nuk synojnë të zëvendësojnë argumentimin e autorit, por ta vendosin atë në një kornizë më të gjerë teorike.

Si nga perspektiva etno-simboliste ashtu edhe nga ajo moderniste, nuk ka qenë e mundur që bashkësia politike e Kosovës të organizohej rreth një identiteti të përbashkët kombëtar kosovar. Sipas etno-simbolistëve, si Anthony D. Smith, një parakusht i rëndësishëm për formimin e identitetit kombëtar është ekzistenca e një trashëgimie të përbashkët kulturore, e bazuar në mite, kujtesë historike dhe simbole të përbashkëta. Në rastin e Kosovës, megjithatë, një trashëgimi e tillë e përbashkët kulturore, që do të përfshinte shumicën shqiptare, pakicën serbe dhe pakicat e tjera, ka munguar. Edhe pse modernistët kërkojnë një nivel më të ulët të trashëgimisë së përbashkët kulturore sesa etno-simbolistët, as kjo qasje nuk mund të zbatohet për organizimin e bashkësisë politike të Kosovës. Arsyeja kryesore për këtë është se shumica shqiptare, pakica serbe dhe pakicat e tjera në Kosovë vështirë se do të pajtoheshin për një gjuhë të përbashkët ose që, me kalimin e kohës, t’i zëvendësonin gjuhët e tyre përkatëse me një gjuhë të vetme të përbashkët.  Mungesa e një baze të tillë gjuhësore e pamundëson ndërtimin e një sistemi të përbashkët dhe të standardizuar arsimor, të cilin Ernest Gellner e konsideron thelbësor për zhvillimin e një kulture kombëtare. Në mënyrë të ngjashme, Benedict Anderson e koncepton formimin e bashkësisë së imagjinuar (kombit) përmes një bashkësie komunikimi të bazuar në një gjuhë të përbashkët. Megjithatë, vlen të theksohet se Anderson, në përkufizimin e tij, i kushton më shumë rëndësi dimensionit subjektiv sesa atij objektiv të kombit; prandaj, kriteri i gjuhës tek ai përbën më shumë një karakteristikë funksionale sesa një tipar përcaktues të kombit. Kjo do të thotë se tipari përcaktues i kombit është, para së gjithash, ekzistenca e një kornize të përbashkët referencash brenda një bashkësie të imagjinuar, gjë që vlen edhe për bashkësi shumëgjuhëshe, siç është rasti i kombit zviceran. Anderson është shumë i qartë kur thotë: “Në një botë ku shteti kombëtar është bërë norma dërrmuese, e gjithë kjo do të thotë se kombet tani mund të imagjinohen edhe pa një bashkësi gjuhësore” (Anderson 2006, 135). Megjithatë, në rastin e Kosovës, nuk është e mundur që shumica shqiptare, pakica serbe dhe pakicat e tjera të arrijnë marrëveshje për krijimin e një kornize të përbashkët referencash përmes një sistemi të standardizuar arsimor. Në mënyrë të ngjashme, edhe qasja teorike e Eric Hobsbawm-it, e cila e shpjegon formimin e identitetit kombëtar përmes shpikjes së traditave të përbashkëta, nuk mund të zbatohet në rastin e Kosovës, pasi ajo presupozon krijimin e traditave të përbashkëta të afta për të kultivuar një ndjenjë të përbashkët identiteti ndërmjet shumicës shqiptare, pakicës serbe dhe pakicave të tjera. Për më tepër, edhe rrethanat praktike e pamundësojnë organizimin e bashkësisë politike të Kosovës rreth një identiteti të përbashkët kombëtar kosovar. Kjo lidhet edhe me faktin se Kosova nuk është një shtet ishullor. Përkundrazi, rreth gjysma e kufijve të saj kufizohen me Shqipërinë dhe me zonat e banuara nga shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi. Edhe serbët e Kosovës, rreth gjysma e të cilëve jetojnë në veri të vendit, kufizohen drejtpërdrejt me Serbinë, shtetin e tyre amë. Të marra së bashku, këto rrethana e pamundësojnë praktikisht krijimin e një identiteti kombëtar kosovar që do të përfshinte shumicën shqiptare, pakicën serbe dhe pakicat e tjera në Kosovë.

Nëse qasjet etno-simboliste dhe moderniste ndihmojnë të kuptohet pse një identitet i përbashkët kombëtar kosovar nuk ka mundur të konsolidohet, atëherë qasja multikulturaliste ndihmon të shtrohet një pyetje tjetër: cili model politik ofron bazën më të qëndrueshme për organizimin e bashkëjetesës brenda shtetit të Kosovës? Pikërisht në këtë pikë, reflektimet teorike të Will Kymlicka-s ofrojnë një kornizë të dobishme për të zgjeruar diskutimin.

Për rrjedhojë, duke marrë parasysh aspektet teorike dhe praktike, si dhe kontekstin më të gjerë historik e politik të Kosovës, si mundësi e vetme realiste për organizimin e bashkësisë politike të Kosovës paraqitet modeli multikulturalist, i cili pasqyrohet pjesërisht edhe në Planin e Martti Ahtisaarit. Will Kymlicka, përfaqësuesi më i spikatur i modelit multikulturalist si projekt normativ politik për organizimin e bashkësive politike, konsideron se e vetmja zgjidhje për bashkëjetesën e qëndrueshme politike dhe shoqërore në shtetet multietnike është akomodimi, e jo subordinimi i identiteteve etnike brenda shtetit. E zbatuar në mënyrë interpretuese në rastin e Kosovës, kjo qasje multikulturaliste sugjeron mundësinë e zhvillimit të një identiteti të përbashkët qytetar, të bazuar në modelin akomodues të qytetarisë multikulturore. Në këtë kuptim, ky identitet do të përfaqësonte një identitet të përbashkët shtetëror që njeh, respekton dhe promovon trashëgiminë kulturore iliro-dardane të shqiptarëve të Kosovës që nga lashtësia; trashëgiminë kishtare të serbëve të Kosovës që nga Mesjeta, e cila njëkohësisht është pjesë edhe e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Kosovës; si dhe trashëgiminë kulturore të komuniteteve të tjera pakicë. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se një identitet i tillë i përbashkët qytetar, i zhvilluar në kuadër të modelit akomodues të qytetarisë multikulturore, do ta zëvendësonte apo do të bëhej më i fortë se identiteti kombëtar i shumicës shqiptare ose ai i pakicës serbe në Kosovë.

Koncepti i organizimit politik i skicuar në Planin e Martti Ahtisaarit, megjithatë, e akomodon identitetin kombëtar serb në Kosovë përmes rregullimeve institucionale të lidhura ngushtë me Kishën Ortodokse Serbe. Në këtë kuptim, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë – përfshirë manastiret, kishat dhe objektet e tjera fetare – njihet plotësisht si pjesë përbërëse e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Vetëqeverisja lokale e komunave me shumicë serbe në Kosovë jo vetëm që mundëson bashkëpunimin ndërkomunal ndërmjet tyre, por u jep edhe të drejtën të bashkëpunojnë me institucionet në Serbi. Po ashtu, shkollat në gjuhën serbe në Kosovë kanë të drejtë të zbatojnë planprograme dhe të përdorin tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë, për aq kohë sa ato nuk bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Duke qenë se korniza e Ahtisaarit tashmë e akomodon identitetin kombëtar serb në Kosovë përmes lidhjeve të tij fetare, kulturore, arsimore dhe etnokombëtare me Serbinë, është po aq i rëndësishëm edhe akomodimi i identitetit kombëtar shqiptar përmes lidhjeve të tij kulturore, historike dhe etnokombëtare me Shqipërinë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse identiteti kombëtar serb ka qenë historikisht i lidhur ngushtë me traditën fetare ortodokse serbe, ndërsa identiteti kombëtar shqiptar është mbështetur kryesisht në traditën e harmonisë dhe tolerancës ndërfetare. Kjo traditë ka mbetur një nga karakteristikat përcaktuese të kombit shqiptar. Për rrjedhojë, kultivimi institucional i kësaj tradite përmes mekanizmave të përshtatshëm simbolikë dhe kulturorë mund të kontribuonte në ruajtjen e një prej tipareve më dalluese të identitetit kombëtar shqiptar, duke forcuar njëkohësisht kohezionin shoqëror dhe qëndrueshmërinë ndaj të gjitha formave të ekstremizmit fetar. Ndryshe nga kombi serb, vazhdimësia etnokombëtare e të cilit përforcohet institucionalisht përmes Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd, kombi shqiptar nuk disponon një institucion të vetëm fetar që të kryejë një funksion formal të krahasueshëm integrues gjithëkombëtar shqiptar. Kjo pasqyron bazat e ndryshme historike të ndërtimit të kombit shqiptar, i cili është zhvilluar kryesisht rreth një gjuhe të përbashkët, një kujtese të përbashkët historike dhe një tradite të gjatë harmonie e tolerance ndërfetare, e jo rreth një institucioni të vetëm fetar. Në këtë kuptim, krahasuar me kombet fqinje që janë relativisht më të mbyllura, kombi shqiptar është një komb më i hapur për sa i përket përmbajtjes së tij kombëtare, me një karakter më të theksuar voluntarist, pasi vetëm përkatësia në një fe të caktuar nuk përbën kriter për përfshirje ose përjashtim nga kombi shqiptar. Vlen të theksohet gjithashtu se ky karakter relativisht voluntarist i nacionalizmit shqiptar krijon mundësi për një integrim më të balancuar të pakicave në Shqipëri dhe në Kosovë, duke mundësuar njëkohësisht ruajtjen e identitetit të tyre fetar dhe etnik, si dhe integrimin e tyre në shoqërinë e shumicës shqiptare.

Prandaj, nëse parimi i barazisë dhe reciprocitetit kombëtar do të zbatohej në mënyrë konsekuente brenda kornizës kushtetuese multikulturore të Kosovës, atëherë vëmendje e barabartë duhet t’u kushtohej edhe rregullimeve institucionale përmes të cilave kombi shqiptar mund të ruajë, kultivojë dhe zhvillojë më tej lidhjet historike, kulturore dhe etnokombëtare ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Rregullime të tilla nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht bashkim politik, ndryshimin e kufijve politikë ekzistues dhe as fuzionimin e parlamenteve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Përkundrazi, ato do të ofronin një shprehje simbolike institucionale të vazhdimësisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar. Një shprehje e mundshme institucionale e këtij parimi do të ishte krijimi i një presidence të përbashkët me funksion ceremonial, e drejtuar nga një president i vetëm pa kompetenca ekzekutive, i zgjedhur me rotacion nga parlamentet e Kosovës dhe Shqipërisë për një mandat pesëvjeçar. Si pjesë përbërëse e këtij institucioni simbolik, mund të krijohej një Këshill Mbarëshqiptar Ndërfetar, i përbërë nga përfaqësues të bashkësive kryesore fetare të shqiptarëve, si një organ i përhershëm simbolik dhe këshillimor. Ky Këshill nuk do të ushtronte kompetenca politike apo qeverisëse, por do të promovonte dialogun ndërfetar, do të ruante traditën shqiptare të harmonisë dhe tolerancës fetare dhe do të kundërshtonte publikisht të gjitha format e ekstremizmit fetar. Në këtë aspekt, këto rregullime do të kryenin një funksion të krahasueshëm – ndonëse jo identik – me atë që ushtron Kisha Ortodokse Serbe në ruajtjen e lidhjeve fetare, kulturore dhe etnokombëtare ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Serbisë. Nga një perspektivë më e gjerë multikulturore, rregullime të tilla do të pasqyronin parimin se bashkëjetesa e qëndrueshme politike dhe shoqërore në shtetet multikulturore arrihet më lehtë kur identitetet kombëtare akomodohen, sesa kur subordinohen. Në këtë kuptim, siç thekson Kymlicka në teorinë e tij normative të qytetarisë multikulturore, anëtarët e bashkësive të ndryshme etnike kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një ndjenjë të përbashkët lojaliteti ndaj bashkësisë së përbashkët politike dhe shtetërore kur e perceptojnë atë si një bashkësi në të cilën identitetet e tyre kombëtare njihen, kultivohen dhe respektohen institucionalisht. E zbatuar në rastin e Kosovës, kjo qasje sugjeron se legjitimiteti dhe stabiliteti afatgjatë i rendit të saj kushtetues multikulturor kanë më shumë gjasa të sigurohen jo duke dobësuar identitetin kombëtar shqiptar apo identitetet e pakicave, por duke i akomoduar ato brenda kornizës së shtetësisë së Kosovës.

Rrjedhimisht, sipas qasjes normative të multikulturalizmit si projekt politik, mbetet e mundur të zhvillohet një identitet i përbashkët qytetar në kuadër të modelit akomodues të qytetarisë multikulturore, i bazuar në një ndjenjë të përbashkët lojaliteti ndaj shtetit të Kosovës, me kusht që Serbia ta pranojë Planin e Ahtisaarit dhe të mos e pengojë pavarësinë e Kosovës, përfshirë anëtarësimin e saj në OKB. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh se, megjithëse qeveria e Serbisë kërkoi në vitin 2008 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) një opinion lidhur me deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ajo nuk e pranoi konkluzionin e GjND-së në vitin 2010 se kjo deklaratë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Njëherësh, vlen të theksohet se procesi i akomodimit të të drejtave të pakicave në Kosovë, i bazuar në Planin e Ahtisaarit, nuk duhet të mbetet një shembull i izoluar. Kjo për arsye se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkan pa respektimin e parimit të reciprocitetit për të drejtat e pakicave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe më gjerë. Prandaj, ky parim duhet të jetë themelor në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i nisur në vitin 2010. Përndryshe, ky dialog ka përfaqësuar dhe vazhdon të përfaqësojë një sprovë të rëndësishme për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, e cila tradicionalisht nuk ka qenë efektive në zgjidhjen e konflikteve etnike në ish-Jugosllavi.

Në fillim të viteve 1990, kur Jugosllavia u përfshi nga një krizë e përgjithshme politike, Bashkimi Evropian fillimisht ishte kundër shpërbërjes së saj. Megjithatë, pasi shpërbërja e Jugosllavisë u bë e pashmangshme, BE-ja e ndryshoi qasjen dhe kaloi në njohjen e pavarësisë së njësive federale (republikave), duke garantuar njëkohësisht të drejtat e pakicave brenda tyre. Ndryshe nga republikat e tjera – Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – Serbia e kundërshtoi kategorikisht këtë qasje të BE-së, duke kërkuar që shkëputja e republikave të mund të ndodhte vetëm nëse territoret e banuara nga serbët etnikë mbeteshin pjesë e Jugosllavisë së cunguar. Në thelb, kjo pasqyronte synimin e Serbisë për krijimin e një Serbie të Madhe. Për ta realizuar këtë synim, Serbia përdori Ushtrinë Jugosllave, të cilën e kontrollonte, dhe ndërmori agresion ushtarak me përmasa gjenocidale kundër popujve të tjerë, fillimisht në Bosnje e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë.

Pavarësisht kësaj politike agresive dhe shkatërruese, Marrëveshja e Dejtonit (1995) parashikoi krijimin e Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndonëse serbët përbënin rreth 30% të popullsisë së vendit. Në këtë kontekst, një rregullim i ngjashëm territorial-politik nuk u krijua për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, megjithëse edhe ata përbëjnë afërsisht 30% të popullsisë së vendit. Për më tepër, gjatë negociatave për statusin e Kosovës në Vjenë, të cilat rezultuan me Planin e Ahtisaarit, u vendos që rreth 5% e popullsisë serbe në Kosovë të gëzonte një nga nivelet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave në Evropë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Megjithatë, një standard i krahasueshëm nuk zbatohet ende për pakicën shqiptare në Serbi. Për rrjedhojë, është jokonsistente të avokohet për një paqe të qëndrueshme në Ballkan, veçanërisht në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, për sa kohë që nuk respektohet parimi i reciprocitetit në garantimin e të drejtave të pakicës shqiptare në Serbi dhe të pakicës serbe në Kosovë.

Po aq jokonsistente është edhe fakti që parimi i drejtë i përfaqësimit parlamentar të pakicave – përfshirë edhe komunitetet që nuk kanë shtet amë, siç është rasti i romëve – është zbatuar vetëm në Kosovë, duke mbetur një shembull i izoluar në kuadër të Planit të Ahtisaarit. Ndërkohë, ky parim nuk zbatohet në Serbi, e cila ka një popullsi rome më të madhe se Kosova, as në Rumani, e cila ka një popullsi rome edhe më të madhe se Serbia dhe është njëkohësisht shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Në këtë kuptim, mbetet për keqardhje mungesa e një bashkëpunimi më të qëndrueshëm ndërmjet elitave politike shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut për ndërtimin e një vizioni të përbashkët, të bazuar jo në armiqësi ndaj popujve të tjerë, por në kërkesën legjitime për barazi kombëtare me ta. Një qasje e tillë do të ishte në përputhje me zhvillimet politike që shoqëruan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe me synimin për ndërtimin e marrëdhënieve të bazuara në barazi, drejtësi dhe fqinjësi të mirë ndërmjet popujve të rajonit. Megjithëse nacionalizmi u shfaq fillimisht si një doktrinë politike e lidhur me sovranitetin popullor dhe barazinë ndërmjet popujve, zbatimi i tij shpesh ka marrë forma përjashtuese që kanë gjeneruar konflikte rreth territorit, identitetit kombëtar dhe sovranitetit politik. Prandaj, nuk është karakteri i popujve në tërësi ai që ka qenë burimi i këtyre konflikteve, por mënyra se si nacionalizmi është interpretuar dhe keqpërdorur, gjë që shumë shpesh ka çuar në armiqësi, përndjekje dhe dhunë. Rrjedhimisht, nacionalizmi duhet të kuptohet në përputhje me parimet e tij themelore: jo si një ideologji e urrejtjes ndaj popujve të tjerë, por si një parim që afirmon lirinë dhe barazinë e çdo kombi në raport me kombet e tjera, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e pakicave. Në këtë kuptim, një nga treguesit më të saktë të pjekurisë së një kombi është shkalla në të cilën ai garanton dhe respekton në praktikë të drejtat e pakicave.

Në përmbyllje të kësaj analize teorike, vlen të rikthehemi te kufijtë dhe mundësitë e modelit normativ të Kymlicka-s. Ai nuk pretendon se ka ofruar një formulë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së organizimit politik ndërmjet bashkësive etnike brenda shtetit. Megjithatë, mund të thuhet se ai ka arritur ta shtjellojë këtë problematikë më thellësisht se shumë autorë të tjerë, duke ofruar një kornizë normative për organizimin politik të bashkësive me përkatësi të ndryshme etnike. Rëndësia e këtij kontributi dëshmohet edhe nga jehona ndërkombëtare e veprës “Multicultural Citizenship” (1995), e cila u nderua me çmimet Macpherson Prize dhe Bunche Award. Përmes saj, Kymlicka kontribuoi në rikthimin e dimensionit normativ në teorinë politike bashkëkohore, që për një kohë kishte mbetur në hije, duke e vazhduar traditën e mendimtarëve me ndikim si John Locke, Jean-Jacques Rousseau, Charles Montesquieu, John Stuart Mill dhe John Rawls. Me fjalë të tjera, Kymlicka e propozon multikulturalizmin si projekt politik për organizimin dhe riorganizimin e bashkësive politike që përfshijnë bashkësi të ndryshme etnike brenda shtetit, sepse, sipas tij, në shumë raste alternativa ndaj këtij modeli mbetet ndarja.

Megjithatë, Kymlicka nuk e kundërshton në çdo rast ndarjen, për aq kohë sa ajo mund të realizohet me mjete paqësore. Në këtë kuptim, ai argumenton se: “Në fund të fundit, liberalizmi merret në thelb jo me fatin e shteteve, por me lirinë dhe mirëqenien e individëve, prandaj ndarja nuk ka pse ti dëmtojë të drejtat individuale.” Më tej shton se, edhe pse priremi të supozojmë se ndarja përbën një katastrofë morale dhe politike, përderisa mund të realizohet në mënyrë paqësore, “ndoshta duhet të jemi më të gatshëm ta marrim në konsideratë ndarjen.” Njëherësh, ai thekson se ndarja nuk është një zgjidhje universale, duke argumentuar se: “ndarja nuk është gjithmonë e mundshme ose e dëshirueshme. Disa minoritete kombëtare, veçanërisht popujt indigjenë, do ta kishin të vështirë të krijonin shtete të pavarura të qëndrueshme. Në raste të tjera, pretendimet konkurruese mbi territorin dhe burimet natyrore do ta bënin ndarjen paqësore pothuajse të pamundur. Në përgjithësi, në botë ka më shumë kombe sesa është e mundur që secili prej tyre të ketë shtetin e vet dhe, meqenëse nuk mund të presim që vetëdija kombëtare të zhduket, duhet të gjejmë një mënyrë që shtetet multikombëtare të qëndrojnë të bashkuara” (Kymlicka 1995, 186).  Kymlicka e përdor termin “national” në kuptimin e bashkësive kombëtare (“nations”), e jo domosdoshmërisht në kuptimin e kombeve-shtete. Sipas tij, “një ‘komb’ është i lidhur ngushtë me idenë e një ‘populli’ ose një ‘kulture’. Në fakt, këto koncepte shpesh definohen në lidhje me njëra-tjetrën. Prandaj, një vend që përmban më shumë se një komb nuk është një shtet-komb, por një shtet-multikombëtar, edhe kulturat më të vogla formojnë ‘minoritetet kombëtare’” (Kymlicka 1995, 11). Nëse kjo logjikë do të zbatohej hipotetikisht dhe në mënyrë simetrike në rastin e Kosovës, ajo do të nënkuptonte modifikimin e kufijve politikë sipas vijave etnike, në kuptimin që territoret me shumicë serbe në veri të Kosovës t’i bashkoheshin Serbisë, ndërsa territoret me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës t’i bashkoheshin Kosovës. Kjo nuk do të nënkuptonte krijimin e shteteve plotësisht homogjene etnikisht, pa pakica, sepse një gjë e tillë nuk është as e drejtë dhe as e nevojshme. Përkundrazi, do të nënkuptonte eliminimin e shkaqeve kryesore të separatizmit dhe të irredentizmit dhe, rrjedhimisht, zvogëlimin e potencialit për konflikte ndërshtetërore, të cilat shpesh ushqehen nga pakicat që kufizohen me shtetet e tyre amë dhe politizohen vazhdimisht prej tyre.

Pavarësisht kësaj, përkushtimi themelor i Kymlicka-s mbetet modeli multikulturalist si projekt normativ për ruajtjen e bashkëjetesës së bashkësive kombëtare brenda shtetit. Sipas tij, “Ajo që është e qartë, mendoj unë, është se, nëse ekziston një mënyrë e zbatueshme për të nxitur ndjenjën e solidaritetit dhe të qëllimit të përbashkët në një shtet multikombëtar, ajo do të përfshijë akomodimin, e jo subordinimin, e identiteteve kombëtare. Njerëzit që u përkasin grupeve të ndryshme kombëtare do të ndajnë besnikëri ndaj bashkësisë më të gjerë politike vetëm nëse e shohin atë si kuadrin brenda të cilit identiteti i tyre kombëtar kultivohet, e jo subordinohet” (Kymlicka 1995, 189). Sipas kësaj qasjeje normative të multikulturalizmit si projekt politik, në rastin e Kosovës mbetet e mundur të zhvillohet një identitet i përbashkët qytetar në kuadër të modelit akomodues të qytetarisë multikulturore, i bazuar në një ndjenjë të përbashkët lojaliteti ndaj shtetit të Kosovës. Njëherësh, kjo nënkupton edhe zbatimin e parimit të reciprocitetit në një plan më të gjerë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se parimi i reciprocitetit duhet të fillojë nga çështje dytësore, siç ishte së fundmi iniciativa për një reciprocitet formal në hapjen e konsullatave të Shqipërisë dhe Serbisë në Bujanoc dhe Shkodër. Përkundrazi, elita politike shqiptare, në përgjithësi, duhet të koordinohet më mirë për këto çështje dhe të veprojë mbi bazën e parimit të reciprocitetit të përgjithshëm, të mbështetur në parimin e barazisë sovrane dhe të fqinjësisë së mirë, duke marrë si pikënisje, para së gjithash, zhvillimet politike që shoqëruan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Përfundim

Libri “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në mendimin politik shqiptar bashkëkohor. Vlera e tij nuk qëndron vetëm në kundërshtimin e idesë së “kombit kosovar”, por edhe në sistemimin e një debati thelbësor mbi vetëkuptimin politik dhe kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Për këtë arsye, libri meriton të lexohet jo vetëm nga ata që ndajnë pikëpamjet e autorit, por edhe nga ata që dëshirojnë të kuptojnë më thellë argumentet, burimet dhe debatet që lidhen me një nga çështjet më të rëndësishme të identitetit politik në Kosovën bashkëkohore. Në këtë kuptim, monografia e Dr. Xhevat Hasanit nuk përfaqëson vetëm një ndërhyrje në një debat ekzistues, por edhe një pikë të rëndësishme reference për diskutimet e ardhshme mbi marrëdhënien ndërmjet kombit, shtetit dhe identitetit në Kosovë. Pavarësisht nëse lexuesi pajtohet ose jo me të gjitha përfundimet e autorit, vepra mbetet një studim serioz, i argumentuar dhe me vlerë të konsiderueshme dokumentuese, i cili pasuron debatin shkencor dhe nxit reflektim të mëtejshëm mbi një nga temat më të ndjeshme të mendimit politik shqiptar.

Literatura e përdorur në analizën teorike

Ahtisaari, Martti. “Comprehensive Proposal for the Kosovo Status Settlement”. UN Security Council Document S/2007/168/Add.1. March 26, 2007.

Anderson, Benedict. “Imagined Communities”. London: Verso, 2006.

Gellner, Ernest. “Nasjonalisme”. Oslo: Spartacus Forlag, 1998.

Gellner, Ernest. “Nations and Nationalism”. Oxford: Blackwell Publishing, 2006.

Hobsbawm, Eric. “Nations and Nationalism Since 1780”. Cambridge: Cambridge University Press, 2012.

Hobsbawm, Eric, and Terence Ranger, eds. “The Invention of Tradition”. Cambridge: Cambridge University Press, 2012.

International Court of Justice. “Accordance with International Law of the Unilateral Declaration of Independence in Respect of Kosovo”. Advisory Opinion. July 22, 2010.

Kymlicka, Will. “Multicultural Citizenship: A Liberal Theory of Minority Rights”. New York: Oxford University Press, 1995.

Kymlicka, Will. “Politics in the Vernacular: Nationalism, Multiculturalism, and Citizenship”. Oxford: Oxford University Press, 2001.

Smith, Anthony D. “Nationalism and Modernism”. Oxon: Routledge, 2006.

Smith, Anthony D. “Nationalism: Theory, Ideology, History”. Cambridge: Polity Press, 2008.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot shënohet dita e 65-të e protestës qytetare, e cila…