Valon Murati: Në gjurmët e heroit Bahri Fazliu, përshkohet për herë të parë “Shtegu i Bahriut”

03 gusht 2026 | 21:22

Valon Murati ka bërë me dije se me bashkëluftëtarë e miq të Shoqatës Shtigjet e Lirisë kanë bërë rrugën që ka bërë ditën e rënies në krye të detyrës dëshmori i kombit dhe Heroi i Kosovës – Bahri Fazliu-Gzimi.

“U nisëm nga shtëpia e familjes Gjonbalaj në Hot të Plavës, prej nga u nis Bahriu më 7 maj të vitit 1998 dhe përshkuam afër 23 km rrugë në Alpet Shqiptare deri tek pllaka përkujtimore në afërsi të trekufirit në Deçan”.

“Kjo ishte përpjekja e parë për të shënuar këtë rrugë, si “Shtegu i Bahriut” e cila do të shndërrohet në një aktivitet tradicional për të gjithë ata që do të dëshirojnë të bashkëngjiten në të ardhmen”.

“Natyrisht këtë rrugë ne e bëmë në kushte krejt tjera prej atyre që Bahriu me shokë i ka bërë në maj të vitit 1998. Por e tillë relaksuese, atraktive dhe përkujtuese kjo rrugë ishte mbi të gjitha për shkak të punës, kontributit dhe sakrificës së dëshmorëve si Bahriu me shokë”, ka shkruar Murati në ‘Facebook’.

Ai ka theksuar se rrugë të tilla që shpesh kalojnë përmes trupit të ndarë të atdheut tonë, me përpjekjet e tyre për liri e bashkim, i kanë bërë më të bukura e me aromë bashkimi, dëshmorët e kombit.

“Puna që po bëjnë shokët e Shoqatës “Shtigjet e Lirisë” është një mënyrë për të afruar dëshmorët me gjeneratat e reja dhe ata të cilët nuk i kanë njohur ata. “Ashtu siç ecëm për liri, ecim edhe sot!””, ka shkruar Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës diskutoi…